“S’ka më të fortë që zaptojnë toka”/ Lleshaj nga Shkodra: Mjedisi dhe hapësirat publike në fokus të IKMT

TIRANË, 5 qershor/ATSH/ Ruajtja e mjedisit dhe hapësirave publike do të jenë në fokus të punës së Policisë së Shtetit dhe IKMT gjatë këtij sezoni veror, ndërsa do të vijojë pa kompromis lufta ndaj kanabisit dhe kriminalitetit.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, gjatë një takimi në Shkodër, Velipojë, pas inspektimit të zhvilluar në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës, që i është nënshtruar një investimi, nënvizoi se angazhimi i strukturave të rendit dhe sigurisë është maksimal.

“Sot kam ardhur në Shkodër me një axhendë të caktuar që ka nisur në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës, duke inspektuar punimet që po zhvillohen në atë godinë”, – tha Lleshaj.

“Shkodra për ne të gjithë është definicion i madh për çdo shqiptar. Shkodra ka histori të madhe, është referencë për shqiptarët, por ngaqë ka shumë histori, kjo na bënë më të vështirë të flasim për të pasi kemi obligime të mëdha për të ardhmen e këtij qyteti dhe besoj se qeveria shqiptare e ka të gjithë angazhimin për të bërë më të mirën e mundshme për të qenë aty ku e ka vendin, në krye, pasi Shkodra ka lindur si qytet”, – vijoi Lleshaj.

Ministri i Brendshëm nënvizoi se turizmi është në fokus dhe mbarëvajtja e hapësirave publike dhe mjedisit të pastër janë tashmë në duart e IKMT dhe Policisë së Shtetit.

“Po filloj së pari me turizmin. Duke qenë se po kalojmë një periudhë pandemie, që ka tronditur mjaft bazat ekonomike të vendit për arsye të shumë kufizimeve, urojmë që me lehtësimin e masave dhe me hapjen e sezonit turistik të kemi mundësi që përmes shërbimeve të kombinuara të kompensojmë atë barrë të madhe që qytetarët janë detyrua të paguajnë për shkak të kufizimeve. Prandaj duhet të bashkojnë forcat të gjithë aktorët qendror dhe vendor, Policia e Shtetit, IKMT, që kujdeset dhe për mjedisin dhe pyjet, veç punës në territor, të mundësojmë një sezon të suksesshëm turistik dhe që të kompensohet ajo që mund të kompensohet nga humbjet e mëdha që qytetarët e bizneset kanë pësuar nga izolimi”, – u shpreh Lleshaj.

“Është e rëndësishme të koordinojmë përpjekjet që turizmit të mos kontaminohet nga ndotja e mjedisit, prandaj dhe krye inspektorja e IKMT është këtu për të mundësuar vijimin e planit për të mbajtur të pastër të gjithë zonën turistike, nga ndërhyrjet e paligjshme, ndërhyrjet në mjedis, zaptimet, që duhen zhdukur nga fjalori, prandaj dhe IKMT punon së bashku me policinë për të ndërhyrë e për të mos lejuar asnjë sipërfaqet toke që i lejohet publikut të mos zaptohen”, – tha Lleshaj.

“Dhe këtu do jetë një përgjegjësi e lartë për Policinë, IKMT, për të mbajtur të pastër çdo centimetër të vijës bregdetare, që s’duhet të preket nga autorizimet përkatëse. Fatkeqësisht historia në të gjithë bregdetin tonë na ka ballafaquar me zaptime me mentalitet primitiv, ku dikush që i thotë vetes i fortë dhe merr sipërfaqe që nuk i takon, duke shkelur ligjin, por dhe çdo zakon e moral të vendit dhe shoqërisë sonë, që nuk lidhet me zaptimin dhe pushtimin e asaj që nuk të takon. Prandaj IKMT dhe policia kanë një përgjegjësi të panegociueshme për të mbrojtur pronën e publikut, e për ta mbajtur të pastër në shërbim të publikut”, – shtoi ministri i Brendshëm.

“Këtu gjej rastin për t’u kujdesur edhe për vijat ujore, Velipoja jeton prej ranës dhe Bunës, çfarë derdhim në Bunë, apo liqen e presim këtu në det, prandaj ka rëndësi të jashtëzakonshme për marrjen e masave  ndaj atyre që shkaktojnë krimi mjedisor, duke krijuar ndotja në lumenj, liqene, apo duke shkarkuar mbetje urbane, mbetje të tjera, ujëra të zeza në këto thesare që ka Shkodra, si liqeni, Drini, Buna… etj. Sot është dhe Dita e Mjedisit, prandaj bëj thirrje për të gjithë qytetarët të mbajmë pastër gjënë më të shtrenjtë që kemi, tokën tonë, mjedisin!” – tha Lleshaj.

Ministri Lleshaj më tej tha se lufta ndaj kanabisit vijon të mbetet një sfidë e madhe për Shqipërinë dhe të ardhmen tonë. Sipas tij, lufta ndaj këtij fenomeni është pa kompromis si sa i takon goditjes së trafikantëve, ashtu dhe zyrtarëve të cilët janë përgjegjës për administrimin e territorit.

“Dhe një çështje tjetër është lufta kundër kanabisit. Sot pashë në se kishte një karikaturë të madhe, ku Bujar Kapexhiu më paraqiste me një kosë të madhe, që po kositja kanabisin në të gjithë territorin e vendit. Prandaj doja ta tematizoj këtë çështje, pasi mbetet një sfidë e madhe për vendin tonë dhe të ardhmen tonë. Nuk është Shqipëria në atë gjendje, siç paraqitej në karikaturë, por unë besoj se ka edhe tentativa për ta zhytur Shqipërinë në gjendje të papëlqyeshme në këtë drejtim”, – vijoi Lleshaj.

“Dua t’ju them se lufta ndaj kanabisit mbetet një përgjegjësi e madhe për ata që kanë përgjegjësi për këtë vend, qofshin zyrtarë qendrorë apo lokalë, qofshin individë, diviza ime si Ministër i Brendshëm mbetet luftë pa kompromis ndaj këtij fenomeni. Kjo luftë do të vijojë në dy fronte: e para, për të luftuar kriminelët që merren me kultivimin, transportimin dhe trafikimin e lëndës narkotike dhe e dyta, për të vënë para përgjegjës ligjore kujtdo që ka përgjegjësi për administrimin dhe kontrollit të territorit”, – tha Ministri Brendshëm.

“Këtë pak territor që kemi, është në përgjegjësinë e shumë vetëve. Ka përgjegjësi, IKMT, Policia, inspektoratet, subjektet private për pjesën që është private, qeverisjet lokale… etj. Detyra e Policisë është të kosisë kriminelët dhe zyrtarët që abuzojnë dhe nëse unë do dilja me kosë do ishte duke kositur zyrtarët që nuk bëjnë punën e tyre, nduke nisur nga policia dhe duke vijuar me të gjithë sektorët. Edhe në këtë sektorë është me rëndësi angazhimi i përbashkët”, – tha Lleshaj.

Duke folur për sigurinë, Lleshaj shtoi se një objektiv tjetër i rëndësishëm është forcimi i parametrave të sigurisë, si dhe kontrolli i flukseve migratore.

“E fundit përpjekja për të forcuar më tej parametrat e sigurisë publike në Shqipëri dhe Shkodër në veçanti. Janë bërë hapa, përpjekje, por mbetet shumë për të bërë. Fatkeqësisht konstatojë që falë dhe për shkak të disa vendimeve të pakuptueshme që s’kam tagër ti gjykojë, por kam të drejtë të mos i kuptojë, kanë bërë që në Shkodër të jenë në qarkullim eksponentë krimi, që meritojnë vëmendjen e shtuar të Policisë, me qëllim që të mos cenohet në asnjë mënyrë asnjë parametër i sigurisë publike”, – tha Lleshaj.

“Lufta ndaj krimit të organizuar në Shkodër është i identifikuar. Dhe e dyta përpjekja për të kontrolluar vijën kufitare. Flukset e paligjshme migratore janë një tjetër mision. Para disa ditësh pësojë dhe një goditje të madhe një rrjet trafikimi ku kishte lidhje dhe brenda policisë së shtetit, por që u godit nga vetë Policia e Shtetit, por mbetet me rëndësi përpjekja dhe objektivi për të kontrolluar migracionin e paligjshëm, si burim i shumë krimeve të tjera, trafikimit, dhunës… etj.”, – theksoi Lleshaj.

Të pranishëm në këtë takim ishin drejtori i policisë së Shtetit, Ardi Veliu, kreu i IKMT, Dallëndyshe Bici, si dhe kryetarja e bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.