Reforma Zgjedhore/ Borrel-Varhelyi: Marrëveshje e rëndësishme politike në përfitim të qytetarëve

TIRANË, 5 qershor /ATSH/ Përfaqësuesi i Lartë dhe zëvendëspresidenti i KE, Josep Borrell dhe Komisioneri i BE për Fqinjësi dhe Zgjerim, Olivér Várhelyi përshëndetën me anë të një deklarate të përbashkët marrëveshjen e rëndësishme politike për Reformën Zgjedhore të arritur sot.

“Ne përgëzojmë të gjitha palët për marrëveshjen e rëndësishme politike për Reformën Zgjedhore të arritur sot. Ne mirëpresim procesin përfshirës dhe përshëndesim gatishmërinë politike për të arritur konsensus. Kjo është një arritje e rëndësishme që do të jetë në përfitim të qytetarëve të Shqipërisë”, thuhet në deklaratë.

“Dispozitat e reja të Kodit Zgjedhor, pas miratimit nga Kuvendi, do t’i japin Shqipërisë një proces zgjedhor me integritet dhe standarde transparence më të larta, bazuar te rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, përfshirë depolitizimin gradual të administratës zgjedhore”, theksuan ata.

“Ato trajtojnë një kusht për nisjen e negociatave të pranimit në BE, siç thuhet në përfundimet e Këshillit të marsit 2020, duke e sjellë kështu Shqipërinë një hap më pranë të ardhmes së saj në BE. Ky është një ogur i mirë për progres në të ardhmen në lidhje me reformat e nevojshme në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së”, u shprehën ata.

/gj.mima/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.