Ngritja e ILD plotëson vakuumin ligjor për hetimin e gjyqtarëve e prokurorëve/ Gjonaj: Të gjithë bashkë në luftën ndaj kriminalitetit

TIRANË, 5 qershor/ATSH/ Të gjitha institucionet ligjzbatuese duhet të jenë bashkë në zbatimin e prioriteteve në luftën ndaj kriminalitetit, ndërsa sa i takon hetimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve ngritja e ILD plotëson vakuumin ligjor në kë drejtim.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në një seancë dëgjimore në Komisionin e Çështjeve Ligjore, në lidhje me mënyrën e zbatimit nga organi i Prokurorisë të rekomandimeve prioritare të dhëna nga Këshilli i Ministrave për vitin 2019, u shpreh se analiza e punës së prokurorisë është bazuar në katër shtylla kryesore: Lufta ndaj Korrupsionit, Lufta ndaj Krimit të Organizuar, Të drejtat e njeriut dhe bashkëpunimi ndërinstitucional dhe ndërkombëtar.

Gjatë parashtresës së saj Gjonaj vlerësoi se viti 2019 ka qenë një vit i rëndësishëm për rezultatet e zbatimit të Reformës në Drejtësi për sa i përket institucionit të Prokurorisë. “Zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm në Dhjetor të vitit 2019, sipas parashikimeve të reja ligjore dhe krijimi i SPAK, pa dyshim janë dy arritje shumë të rëndësishme në rezultatet e Reformës në Drejtësi. Tashmë që kuadri institucional është në funksion, pritet një përmbushje më e mirë e rekomandimeve të Këshillit të Ministrave në luftën kundër kriminalitetit në përgjithësi dhe veçanërisht me ato rekomandime që lidhen me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Emërimi në fillim të këtij viti të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, do të ndihmojë padyshim edhe në plotësimin e atij vakumi që ishte krijuar për procedimin disiplinor të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, – theksoi Gjonaj.

Më tej ministrja parashtroi gjetjet dhe problematikat kryesore për rekomandimet e lëna nga qeveria për institucionin e Prokurorit të Përgjithshëm, të cilat ishin të fokusuara në luftën kundër korrupsionit; luftën kundër krimit të organizuar; të drejtat e njeriut dhe bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ndërkombëtar.

Lidhur me rekomandimin e parë, ministrja Gjoni, në cilësinë edhe të Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion, vlerësoi se pavarësisht se rezulton se ka një rritje të numrit të hetimeve për veprat penale të korrupsionit në krahasim me vitin 2018, rastet që shkojnë për gjykim mbeten më të njëjtat nivele ose krahasuar me numrin total është më i ulët.

Sipas saj, duhet të bëhet më shumë në rritjen e efektshmërisë së organit të Prokurorisë për hetimin e çështjeve, pasi edhe për çështje të caktuara të taskforcës antikorrupsion, drejtuar nga ministri i Drejtësisë, pavarësisht argumenteve të paraqitura, për pjesën më të madhe të tyre pushohen hetimet.

Lidhur me veprat penale kundër krimit të organizuar, ministrja Gjonaj vlerësoi ka një rritje të regjistrimit të procedimeve, por sërish kërkohet një mobilizim me të gjitha strukturat ligjzbatuese për pasjen e hetimeve cilësore. “Në zbatim dhe të planit të veprimit të Qeverisë shqiptare në përmbushje të rekomandimeve të Moneyval janë marrë masat edhe nga Prokuroria e Përgjithshme për të organizuar punën në zbatim të tyre, rezultatet e të cilat duhet të arrihen me patjetër në 2020”, – vlerësoi Gjonaj.

Më tej duke parashtruar edhe rekomandimet e lëna për vitin 2020, ministrja e Drejtësisë theksoi se për arritjen e rezultateve të dukshme në luftën ndaj kriminalitetit, duhet që realizimi i tyre të bazohet në frymën e ligjit.

Ajo sugjeroi që në Rezolutën e Kuvendit të kërkohet më shumë bashkëpunim dhe koordinim me të gjithë aktorët. “Lufta ndaj kriminalitetit dhe rekomandimet e adresuara për vitin 2020 të Qeverisë, duhet që të konsiderohet si një përgjegjësi e përbashkët e aktorëve dhe të bëjë bashkë si në metodologji edhe në zbatimin e tyre apo dhe dhe në një raportim të tillë shumë të rëndësishëm të gjithë aktorët, Ministrinë e Drejtësisë, Prokurorin e Përgjithshëm, Drejtuesin e SPAK, kryetarin e KLP, pasi do të duhet që kjo të jetë një ndërmarrje e koordinuar”, u shpreh ajo.

Më pas mbledhja vijoi me një seancë dëgjimore lidhur me veprimtarinë përgjatë vitit 2019 të Agjencisë së Trajtimit të Pronave.

Jonida Baci, drejtore e përgjithshme e këtij institucioni, e nisi raportimin e saj me lajmin mbi vendimin e fundit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, mbi çështjen “Beshiri kundër Shqipërisë”, që sipas saj vërtetoi se skema e ofruar për ligjin për trajtimin e pronës është një mekanizëm ligjor efektiv.

Më tej ajo parashtroi veprimtarinë e ATK përgjatë vitit të kaluar dhe objektivat dhe sfidat për vitin 2020. Deputeti Adnor Shameti, në cilësinë e relatorit kërkoi informacion lidhur me një sërë çështjesh, të adresuara në rekomandimet e lëna nga Komisioni për çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut për vitin 2019.

Baci sqaroi nismat për inicimin e ndryshimeve në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi me qëllim për adresimin e problematikave të evidentuara nga ATK, ndjekjen e procese gjyqësore, zbatimin e rekomandimeve të lëna nga Taskforca për verifikimin e ligjshmërisë dhe mënyrës së tjetërsimit të pronave të paluajtshme, etj. /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.