Meta: Inkurajoj të gjitha nismat kundër çdo forme dhune dhe abuzivizmi

TIRANË, 5 qershor/ATSH/ Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se “kur çdo formë dhune tolerohet, justifikohet dhe nuk ndëshkohet nga shteti, atëherë dhuna kthehet në sistem”.

Meta vlerësoi dhe përshëndeti reagimin e djeshëm qytetar në protestën-marshim të organizuar në Tiranë. “Do t’i mbështes e inkurajoj gjithmonë të gjitha nismat kundër çdo forme dhune dhe abuzivizmi”, tha Presidenti.

Sipas tij, “një shoqëri demokratike dhe sociale, nuk mund të ketë evolucion pa inkurajuar përpjekjet për fuqizimin e rolit të grave dhe vajzave, veçanërisht pa përmbushur detyrimet për mbrojtjen e të drejtave të tyre”.

Meta i bëri thirrje drejtësisë të mos vonojë në nxjerrjen e përgjegjësive për rastin e abuzimit të 15-vjeçares në Babrru, dhe nxiti institucionet arsimore të jenë më të vëmendshme në parandalimin dhe denoncimin e këtyre rasteve tronditëse”.

“Një shoqëri si e jona, që familjen dhe vlerat e saj i vlerëson të shenjta, duhet të ngrihet e gjitha në këmbë për mbrojtjen e tyre”, tha ai.

/m.m/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.