MEKSIKË – Lopez Obrador: Nuk do ta ulim më tej prodhimin e naftës

MEKSIKO, 5 qershor /ATSH-AFP/- Meksika përjashtoi sot çdo mundësi uljeje të mëtejshme të prodhimit të naftës, në prag të takimit të OPEC +, përfshirë Rusinë, që synon të mbështesë një treg të dëmtuar nga pandemia.

“Ne nuk mund ta ulim më tej prodhimin tonë”, tha presidenti meksikan, Andres Manuel Lopez Obrador.

Ai u zotua, në prill, ta ulë prodhimin e vendit me 100 000 fuçi në ditë, për të përmbushur një marrëveshje globale midis vendeve prodhuese, me qëllim frenimin e rënies së çmimeve të naftës.

“Tashmë ua kemi komunikuar anëtarëve të OPEC-ut pozicionin tonë. Ne e kemi përmbushur pjesën tonë të kontratës, kur ka vende të tjera, sipas raportit të vetë OPEC-ut, të cilat nuk e kanë bërë këtë”, shtoi ai, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Eksportet e naftës së papërpunuar përbëjnë një të pestën e të ardhurave të vendit, ekonomia e së cilit po vuan nga pasojat e pandemisë së COVID-19.

Për të kompensuar rënien e kërkesës globale për arin e zi, OPEC + po përpiqet që nga 1 maji të zvogëlojë prodhimin e vendeve anëtare me 9,7 milionë fuçi në ditë, ose me rreth 10% të furnizimit botëror para krizës./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.