LONDËR – Frost: Progrese të kufizuara në negociatat BM-BE

LONDËR, 5 qershor /ATSH-AFP/ – Britania e Madhe theksoi sot se progresi mbetet i kufizuar në negociatat me Bashkimin Europian në lidhje me marrëdhënien post-Brexit duke kërkuar intensifikimin dhe përshpejtimin e diskutimeve për të arritur një marrëveshje para fundit të vitit.

“Progreset mbeten të limituara, por toni i diskutimeve tona ka qenë pozitiv”, deklaroi negociatori britanik, David Frost në një komunikatë.

“Ne jemi në pikën për të arritur limitet e asaj që ne mund të bëjnë në formatin e diskutimeve në distancë, Për të bërë progrese ne duhet të intensifikojmë dhe të përshpejtojmë punën tonë”, shtoi ai në përfundim të javës së katërt të negociatave nëpërmjet video-konferencës për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Negociatori europian për marrëdhënien post-Brexit mes BE-së dhe Britanisë së Madhe theksoi se nuk kishte pasur progrese domethënëse në përfundim të një jave negociatash.

Ai theksoi se një marrëveshje me Londrën duhet të arrihet deri më 31 tetor, ndërkohë që Britania e Madhe refuzon për momentin një zgjatje të periudhës së tranzicionit, përtej fundit të dhjetorit./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.