Investimi në ujësjellës, furnizim 24 orë me ujë të pijshëm për 36 mijë banorë të Peshkopisë

TIRANË, 5 qershor /ATSH/ 36 000 banorë të Peshkopisë, në njësitë administrative Kalaja e Dodës, Kastriotit dhe Tominit në Dibër, përfitojnë 24 orë ujë të pijshëm e me cilësi.

Këshilli Teknik i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, (AKUM) shqyrtoi dhe miratoi ndërtimin e rrjetit të jashtëm të ujësjellësit të Peshkopisë, për t’i hapur rrugë nisjes së investimit nga qeveria qendrore.

Investimi i AKUM për këtë projekt synon 24 orë ujë të pijshëm e me cilësi për 36 000 banorë si dhe reduktim të ndjeshëm të kostos së energjisë për UK Peshkopi.

Furnizimi mesatar me ujë sot në Peshkopi, raportohet 3-4 orë ujë mesatarisht/ditë dhe 1-2 orë ujë në periudhën e thatësirës (lorrik – shtator). 24 km linjë e rrjetit të jashtëm tërësisht e amortizuar dhe degraduar nga ndërhyrjet e paligjshme dhe ndërtimi i ujësjellësit daton në vitin 1978.

Furnizimi me ujë do të sigurohet nga burimet e Bjeshkës së Gramës, Mali i Korabit në një lartësi prej 2345 m.
Investimet e qeverisë qendrore në infrastrukturën e ujësjellësve synojnë modernizimin e tij, për të garantuar parametra e standarde bashkëkohore.
Sektori i ujit është 1 nga 5 prioritetet strategjike të qeverisë shqiptare duke synuar përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve, si dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.