Impianti i trajtimit të mbetjeve në Fier/ Klosi: Investim i jashtëzakonshëm në mbrojtje të mjedisit

TIRANË, 5 qershor/ATSH-Maela Marini/ Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ishte sot në Fier, ku pa nga afër punën në impiantin për trajtimin e mbetjeve dhe standardizimit të teknikave të përpunimit.

“Është për t’u ndjekur me vëmendje i gjithë funksionimi i këtyre impianteve që megjithëse të shoqëruara me debate të jashtëzakonshme kanë frytet e tyre. Vendgrumbullimi i mbetjeve urbane në Fier ishte jashtë çdo parametri europian, ndërsa sot jemi në një park të ri për qytetin. Edhe në këtë impiant janë mbjellë 7 mijë pemë edhe bimë që do ta shndërrojnë edhe këtë zonë në një zonë kreative”, tha Klosi.

Ministri theksoi se “investimet e qeverisë për sa i përket mjedisit janë të shtuara. Shumë nga këto impiante do të sigurojnë jo vetëm pastërtinë e momentit por edhe në planin afatgjatë, menaxhimin ashtu si duhet të mbetjeve urbane”.

“Kjo është një formulë që dëshmon se mbetjet urbane mund të shndërrohen në një pasuri për komunitetin dhe ky impiant do të dëshmojë se jo vetëm do të prodhojë energji të pastër për komunitetin, por do të trajtojë në mënyrë të jashtëzakonshme mbetjet e gjithë qarkut”, tha Klosi.

Ai theksoi se “sfida e radhës është komunikimi me bashkitë e tjera të qarkut të Fierit të cilat do të jenë të detyruara të sjellin mbetjet urbane në këtë landfill publik në kushtet më të mira të mundshme. Nga ky moment do të kemi një Divjakë, Lushnjë, Roskovec, Patos e Mallakastër të pastër”, tha Klosi.

Ministri theksoi se “ky venddepozitim do të krijojë të gjithë ciklin e trajtimit të mbetjeve, nga riciklimi i mbetjeve të riciklueshme, trajtimin e mbetjeve urbane të përdorshme për bujqësi dhe ato që nuk mund të përdoren do të digjen në incenerator dhe do të prodhojnë energji”. /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.