Dita Ndërkombëtare e Mjedisit/ Shqipërisë nuk i mungon asgjë për të qenë “diamanti” i Mesdheut dhe Europës

TIRANË, 5 qershor/ATSH/ Në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit, Presidenti Ilir Meta bëri apel për të mos lejuar më që keqmenaxhimi i mbetjeve urbane dhe ndotja e ajrit të dëmtojnë jetët tona.

“Të zgjohemi dhe të mos lejojmë që betoni të zhdukë hapësirat dhe kurorat e gjelbra të qyteteve, që lejet abuzive dhe papërgjegjshmëria të sharrojnë pyjet e jashtëzakonshme, malet t’i kthejnë në gurore, detin ta ndotin dhe bregdetin ta shkatërrojnë, që HEC-et dhe shfrytëzimi pa kriter të rrezikojë zhdukjen e Vjosës, Valbonës dhe shumë lumenjve përrallorë që kërcënohen nga papërgjegjshmëria dhe korrupsioni i vendimmarrësve”, tha Meta.

Sipas tij, “Shqipërisë nuk i mungon asgjë për të qenë “diamanti” i Mesdheut dhe Europës, por të gjithë bashkë duhet të kontribuojmë për të mbrojtur çdo dhuratë që na ka falur Zoti”.

“Shqipëria është shtëpia jonë e përbashkët! Ta mbajmë të pastër e të gjelbër, dhe një vend të mirë e të shëndetshëm për të jetuar. Do të jem në mbështetje të shoqërisë civile, aktivistëve të ndershëm e patriotë dhe çdo komuniteti që duke mbrojtur mjedisin dhe bukuritë natyrore mbron të ardhmen e begatë të Shqipërisë”, tha Meta. /m.m/ /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.