Dita Botërore e Mjedisit/ Manastirliu: T’i mësojmë fëmijëve tanë të kujdesen për natyrën

TIRANË, 5 qershor/ATSH/ Dita Botërore e Mjedisit është data 5 qershor e çdo viti.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu thotë se fëmijëve u duhet mësuar të kujdesen për natyrën, për të pasur mjedis të shëndetshëm dhe shëndet më të sigurt.

“T’i mësojmë fëmijëve tanë të kujdesen për natyrën dhe të gjithë bashkë të kujdesemi për një mjedis më të shëndetshëm, për shëndet më të sigurt. Dita botërore e Mjedisit”, tha ministrja.

Kjo ditë është e veçantë ku Kombet e Bashkuara (OKB) krijojnë një ndërgjegjësim mbarëbotëror për ruajtjen e mjedisit.

48 vjet më parë u caktuar 5 Qershori si Dita Ndërkombëtare e Mjedisit e kjo u caktua nga Asambleja e përgjithshme e OKB-së. Qëllimi i saj ishte për të shtuar vetëdijen rreth çështjeve të mjedisit dhe për të tërhequr vëmendjen politike ndaj këtyre çështjeve, si dhe për të nxitur veprimin individual në këtë drejtim.

U zgjodh 5 qershori, sepse përkon me ditën e hapjes e Konferencës së Kombeve të Bashkuara mbi Mjedisin, që u mbajt në vitin 1972 në Stokholm, nën udhëheqjen e Programit Mjedisor të Kombeve të Bashkuara. z.tosku//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.