1 milion lekë ndaj kompanisë për ndotjen në lumin Fan/ Bashkia e Pukës grup pune për verfikimin e situatës

TIRANË, 5 qershor/ATSH/ Bashkia e Pukës po ndjek me shqetësim situatën e krijuar si pasojë e ndotjes në Lumin Fan nga sterilet e bakrit lëshuar nga Fabrika e Pasurimit të Bakrit në Fushë-Arrëz.

“Pas njoftimit nga banorët e zonës, të cilët me të drejtë janë të shqetësuar, bashkia Puka ka ngritur grupin e punës, i cili ka verifikuar situatën në terren. Krahas kësaj ashtu siç bëri të ditur dy ditë më parë në mbledhjen e këshillit bashkiak dhe kreu i bashkisë Gjon Gjonaj, kemi kërkuar nga ekspertë kombëtar vlerësimin e kësaj situate”, thekson bashkia e Pukës.

Ndaj kompanisë që ka shkaktuar ndotjen masive, Drejtoria e Shërbimit Pyjor pranë bashkisë Pukës ka ndërmarrë të gjithë aktet administrative duke vendosur dhe gjobën prej 1 milion lekë për shkaktarët e kësaj ndotje.

Bashkia e Pukës u bën me dije banorëve të njësisë administrative Gjegjan se prej ditës së parë është në ndjekje të kësaj situate, teksa po punohet me organet më të larta shtetërore që të ndërmerren hapat e duhur ligjor që kjo situatë të mos përsëritet më./k.s/ /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.