Operacioni i përbashkët Itali-Shqipëri, 11 persona në pranga

TIRANË, 4 Qershor/ATSH/-  Policia Shqiptare dhe ajo italiane kanë finalizuar operacionin e përbashkët “ZAD”, ku u arrestuan 11 persona, 9 prej të cilëve në Itali dhe 2 u ndaluan në territorin shqiptarë.

Sipas Policisë, në operacion në Shqipëri, Departamenti i Policisë Kriminale, Interpol Tirana, DVP Tiranë, Elbasan e Shkodër, në bashkëpunim me Interfocën Italiane në Shqipëri dhe Interpol Romën.

Si rezultat, gjatë orëve të para të mëngjesit, në Itali dhe Shqipëri u bë ekzekutimi i 11 urdhrave të arrestit të lëshuara për pjesëtarët e një grupi kriminal në fushën e narkotikëve, 9 prej të cilëve u kapën në Itali dhe 2 në Shqipëri. Gjatë operacionit, nga Policia e Shtetit u kapën shtetasit F. P., 32 vjeç, lindur në Shkodër dhe I. D, 49 vjeç, lindur në Cërrik.

Gjykata e Hetimeve Para-Gjyqësore në Pistoia, Itali, ka lëshuar urdhër-arreste për 11 persona, ndërmjet tyre edhe këta dy shtetas, për veprën penale “Posedim dhe kontrabandim i paligjshëm i drogave, kryesisht kokainë” kryer në bashkëpunim. Maksimumi i dënimit 20 vjet burg.

Shtetasi F. P. ka luajtur rolin e tij si ndërmjetësues mes disa shtetasve shqiptarë të raportuar si blerës të pakove më kokainë, vepër penale të cilën e ka kryer në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ndërsa shtetasi I. D., duke vepruar në rolin e rishitësit të lëndës narkotike, në bashkëpunim me shtetas shqiptarë dhe italianë ishte përgjegjës për mbledhjen dhe nxjerrjen në shitje të pakove me kokainë, sasi e siguruar dhe e ruajtur nga shtetas të tjerë shqiptarë.

Policia e Shtetit është e vendosur që të bashkëpunojnë ngushtësisht me partnerët për të luftuar me ashpërsi krimin e organizuar dhe terrorizmin. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.