Ndotja e lumit Fan/ 1 milion lekë gjobë ndaj kompanisë përgjegjëse

TIRANË, 4 qershor/ATSH/ Bashkia e Pukës po ndjek me shqetësim situatën e krijuar si pasojë e ndotjes në lumin Fan nga sterilet e bakrit, të lëshuara nga Fabrika e Pasurimit të Bakrit në Fushë-Arrëz.

Pas njoftimit nga banorët e zonës, bashkia Puka ka ngritur grupin e punës i cili ka verifikuar situatën në terren.

Krahas kësaj, kryetari i bashkisë, Gjon Gjonaj ka kërkuar një ekspert kombëtar për vlerësimin e kësaj situate.

Ndaj kompanisë që ka shkaktuar ndotjen masive, Drejtoria e Shërbimit Pyjor pranë bashkisë Pukës ka ndërmarrë të gjitha aktet administrative duke vendosur dhe gjobën prej 1 milion lekë për shkaktarët e kësaj ndotjeje.

Bashkia e Pukës iu bëri me dije banorëve të njësisë administrative Gjegjan se prej ditës së parë është në ndjekje të kësaj situate, teksa po punohet me organet më të larta shtetërore që të ndërmerren hapat e duhur ligjorë që kjo situatë të mos përsëritet më.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.