Kalo: Kemi ende udhë për të bërë ndaj COVID-19, si do ishte situata nëse do vepronim si në Suedi

TIRANË, 4 qershor /ATSH/ Mjeku i njohur infeksionist, Tritan Kalo është shprehur se nëse në Shqipëri do të vepronim si në Suedi, do të kishim deri tani 12 863 të infektuar dhe 1490 viktima.

“Kohë dhe opinione Covidiane… Nëse në Shqipëri do të vepronim si në Suedi: “Në ndryshim nga e gjithë bota, Suedia nuk vendosi një karantinë të plotë ndërsa u mbështet tek përgjegjësia e qytetarëve dhe tek ajo që quhet ‘imuniteti i tufës’. Deri më tani vendi numëron 38 589 të infektuar me virusin korona dhe 4 468 viktima.” Popullata e saj është tre herë më e lartë se e jona, ndaj dhe këto shifra mundet të përpjestohet me tre nëse do të zbatohej një skenar i tillë edhe në Shqipëri, pra do të kishim deri më tash 12 863 të infektuar dhe 1490 viktima, në dallim me aktualitetin e 1184 të infektuarve dhe të 34 humbjeve jetësh”, ka theksuar Kalo.

“Ne si popullatë përballë shifrave të tilla a do të ishim vallë pro këshillave për mbylljen, vetëizolimin, distancimin fizik, higjienën personale dhe kolektive, ajrimin e shpeshtë të mjediseve, hidrimit e kujdesshëm, ushqimin e pasur me vitamina, minerale e proteina, etj.??? Për sa i përket kohëzgjatjes së quarantinës (40 ditëshit), tej këtij kufiri kohor kjo gjë përbën një subjekt diskutimi kudo në botë, por askush nuk e ka diskutuar në thelb deri më tash qëllimin dobiprurës të saj”, është shprehur mjeku Kalo.

“Përdorimi apo keqpërdorimi politik i saj, përbën një kapitull jashtë këtij postimi… Profesionalizmi realisht i lë shumë pak vend politikës për politikë, jashtë politikave zhvillimore për shëndetësinë publike… bashkë me mirëbesim dhe me mirëkuptim reciprok, ne me siguri do i bëjmë ballë deri në fund sfidës Sars-Cov2/Covid-19 … kemi ende udhë për të bërë… Mantelbardhët ishin, janë dhe kurdoherë do të gjinden pranë jush… jemi betuar për këtë gjë, dhe ne i qëndrojmë betimit tonë… I lutem militantëve të verbër të çdo krahu politik, të qëndrojnë larg opinioneve të pabukta për këtë postim!!!”, ka theksuar mjeku Kalo.

/gj.mima/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.