Hoti në ditën e parë të punës zotohet për fuqizim të marrëdhënieve me ndërkombëtarët

PRISHTINE, 4 qershor /ATSH/ -Kryeministri i zgjedhur i Kosovës, Avdullah Hoti në mbledhjen e parë me kabinetin qeveritar tha se do të fuqizojnë miqësinë me partnerë ndërkombëtar të shtetit, dhe se do të marrin përsipër procesin e dialogut me Serbinë.

Hoti, i cili u votua kryeministër dje në Kuvendin e Kosovës, tha se prioritet i qeverisë që ai e udhëheq është të luftojnë pandeminë COVID-19, të rimëkëmbjen ekonominë dhe të forcojnë shtetin ligjor.

Me gardë ceremoniale, i vetëm, Avdullah Hoti arriti sot në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës dhe detyrën nuk ia dorëzoi Albin Kurti, i cili deri sot udhëhoqi me qeverinë.

Hoti, me të gjithë kabinetin qeveritar mbajtën mbledhjen e parë të qeverisë, që është e karakterit ceremonial.

Në fjalimin e tij të parë në ekzekutiv, Hoti përmendi miqësinë me ndërkombëtarët dhe dialogun me Serbinë.

Hoti tha se do të nisin menjëherë me adresimin e sidave, që sipas tij, pandemia dhe çështjet e rimëkëmbjes ekonomike janë prioritet.

Avdullah Hoti, i cili erdhi në pushtet nga një marrëveshje politike pas rrëzimit të qeverisë  tha se për herë të parë një Qeveri e Kosovës do të ketë një program që merr parasysh nevojat që kanë grupet e caktuara të shoqërisë në Kosovë, duke theksuar arsim cilësor dhe shërbime më të mira në shëndetësi.

Hoti falenderoi mjekët, policët dhe shërbimet e tjera për punën e kryer gjatë pandemisë COVID-19, ndërkohë shprehu ngushëllime për familjet e viktimave të cilave u zotua se qeveria do t’u qëndrojë pranë.

Avdullah Hoti u kthye në qeveri dy muaj pasi Albin Kurti e shkarkoi nga posti i zëvendëskryeministrit pak orë pas rrëzimit të qeverisë më 25 mars./KosovaPress//e.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.