COVID-19 – Suedia lehtëson kufizimet e udhëtimeve të brendshme nga 13 qershori

STOKHOLM, 4 qershor /ATSH-DPA/ – Qeveria suedeze njoftoi sot se do të lehtësojë më tej kufizimet për udhëtimet e brendshme duke lejuar personat pa simptoma të COVID-19 që të udhëtojnë lirshëm në vend, nga 13 qershori.

“Kjo nuk do të thotë se rreziku ka mbaruar”, deklaroi kryeministri, Stefan Lofven, në një konferencë për shtyp, duke theksuar nevojën për të respektuar këshillat e shëndetit publik.

“Javët e fundit, është regjistruar një rënie e numrit të personave që kanë nevojë për kujdes intensiv”, shtoi ai.

Megjithatë, mbetet ende në fuqi, kufiri për një maksimum prej 50 personash në grumbullimet publike, si edhe rekomandimet për distancimin social, ndalimi për të vizituar azilet e pleqve dhe rregullat në restorante, bare dhe kafene./ /sara/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.