COVID-19 – Brazili dhe Meksika numër rekord viktimash

RIO DE ZHANEIRO, 4 qershor /ATSH-AFP/ – Brazili regjistroi 1 349 të vdekur nga COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit, një rekord për këtë vend amerikano-jugor, epiqendra e re e epidemisë, njoftoi sot Ministria e Shëndetësisë.

Rreth 32 548 persona kanë humbur jetë nga COVID-19 në Brazil, që numëron tashmë 584 016 raste të konfirmuara, shifra më e lartë e të kontaminuarve pas SHBA-së.

Edhe në Meksikë numri i të vdekurve nga koronavirusi gjatë 24 orëve të fundit është dyfishuar dhe ka kaluar për herë të parë pragun e 1 000 viktimave, me 1 092 të vdekur të regjistruar nga 470 një ditë më parë, sipas bilancit zyrtar të qeverisë.

COVID-19 ka shkaktuar 11 729 të vdekur në Meksikë, bilanci i dytë më i rëndë në Amerikën Latine pas Brazilit.

Një total prej 101 238 rastesh të konfirmuara me COVID-19 janë njoftuar që prej fillimit të pandemisë./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.