USAID ndihmon bizneset rurale të zhvillojnë online aktivitetin e tyre

TIRANË, 3 qershor /ATSH/ Edhe pse pandemia po mban shumë prej nesh të izoluar e larg njëri-tjetrit, ekonomia nuk mund të ndalet.
Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtare (USAID) është duke punuar ngushtë me partnerin e saj shqiptar Creative Business Solutions, (CBS) për të ndihmuar bizneset të zhvillojnë online aktivitetin e tyre.
Konkretisht përmes tregtisë elektronike, faqeve të reja të internetit dhe përdorimit më të madh të medieve sociale, USAID dhe Creative Business Solutions po ndihmojnë prodhuesit ruralë vendas të vazhdojnë biznesin dhe kontaktet me klientët.
Ekspertët e CBS-së, po bashkëpunojnë me sipërmarrjet private për mbështetjen e tyre në përthithjen e fondeve, plotësimin e standardeve, plane biznesi e menaxhim tregtar, promovim të eksportit dhe krijim të lidhjeve në treg.
Gjithashtu ata po adresojnë konsulencë për përthithjen e fondeve nga Skemat Kombëtare dhe IPARD dhe promovimin e eksportit përmes krijimit të lidhjeve në treg. Ndërsa shërbimet e konsulencës për SME-të e interesuara për eksport lidhet me krijimin e një pakete dizajni e cila përputhet me standardet e Bashkimit Europian.
Gatishmëria për eksport për SME-të shërben si një pikë kyçe për kompanitë e interesuara të hyjnë në tregjet ndërkombëtare.
Bujqësia është ndër sektorët kryesorë të ekonomisë së vendit, që edhe gjatë kohë së COVID, nuk e ndali eksportin e brendshëm dhe në tregjet e huaja, duke garantuar funksionimin normalisht të zinxhirit ushqimor. Potencialet e këtij sektori tashmë po përshtaten edhe në drejtim të zhvillimit të tregtisë elektronike. e.xh//a.a//r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.