Shfrytëzonin pa leje materialin inert në lumin Shushicë, gjobiten subjektet në Vlorë

TIRANË, 3 qershor/ATSH/ Policia e Vlorës dhe Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ushtruan kontroll në 3 firma që merren me shfrytëzimin e zhavorrit të lumit Shushicë, prej të cilave njëra prej tyre është konstatuar duke punuar në shkelje.

Në një njoftim për shtyp policia bën të ditur se “ka nisur procedimin penal ndaj njërës prej firmave të shfrytëzimit të zhavorrit, me administrator shtetasin P. Sh, pasi ka grumbulluar materiale inerte si dhe ka ndryshuar destinacionin e tyre duke shpërdoruar tokën”.

“IKMT ka marrë masën administrative të dënimit me gjobë 2 milionë lekë (të reja) ndaj subjektit, në lidhje me veprimtarinë e paligjshme të konstatuar”, – thekson policia.

IKMT gjatë 10 ditëve të fundit, ndaj dy subjekteve që shfrytëzonin pa leje materialin inert në lumin Shushicë, kanë marrë për secilin vendimin për dënim me gjobë 2 milionë lekë.

Gjithashtu është penalizuar një subjekt me vendim për gjobë 500 000 lekë dhe vendim për prishje objekti të ndërtimit pa leje në Rezervatin Natyror të Menaxhuar të Karaburunit, Vlorë.

Ndërsa Policia e Sarandës ka nisur procedimin penal ndaj shtetasve N.O dhe I.Xh, pasi në lagjen Nr. 1 Sarandë dyshohet se kanë hedhur inerte në një sipërfaqe toke, duke ndotur kështu mjedisin.

IKMT ka marrë masën e dënimit me gjobë 500 000 lekë dhe vendim për prishje në lidhje me veprimtarinë e paligjshme të konstatuar.

Vijojnë veprimet e mëtejshme për veprën penale “Shpërdorimi i tokës”.

Policia e Shtetit dhe IKMT apelon për këdo të denoncojë shkeljet në mjedis dhe çdo paligjshmëri tjetër, në numrin falas 112 ose Komisariatin Dixhital./k.s/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.