Së shpejti nisin procedurat për rrugën Milot-Thumanë-Rrogozhinë-Fier/ Një tjetër projekt që i jep hov zhvillimit të ekonomisë

TIRANË, 3 qershor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot fillimin së shpejti të procedurës për një tjetër projekt të madh në infrastrukturë, atë të rrugës Milot-Thumanë-Rrogozhinë-Fier.

Rama tha se rindërtimi ka nisur dhe do të intensifikohet jashtëzakonisht gjatë këtyre muajve. “Në qershor shumë kantiere do të hapen. Në vijimësi kantiere pas kantieresh krijojnë një zinxhir të gjatë e të fortë punësimi”.

Rama tha se të gjitha këto projekte i japin mundësi ekonomisë të marrë hov të rëndësishëm në një fazë transformimi dhe ambicia jonë është që të dalim më të fortë pas dy goditjeve që morëm me tërmetin dhe COVID-19.

“Ministrja që meriton të gjithë respektin se është fokusuar me rezultat konkret deri tani te disa projekte të mëdha, besoj që do të na mbledhë përsëri për të lajmëruar fillimin e procedurës për një proces që na çon në kantier për aksin Milot-Fier duke kaluar përmes Thumanës dhe Rrogozhinës. Besojmë me rikthimin e normalitetit, procesi i pezulluar i aeroportit të Vlorës do të rikthehet dhe ne do të kemi brenda vitit kantierin dhe me radhë një sërë veprash të tjera”, tha Rama.

Ai u shpreh se “kemi të gjitha arsyet të jemi shumë optimistë për vitin e ardhshëm dhe kam parasysh jo vetëm adresimin e pasojave nga COVID, por tejkalimin e tyre dhe kapërcimin e parashikuar për ekonominë, si rezultat i të gjitha reformave dhe përgatitjeve të bëra deri këtu”.

“Uroj që edhe Skavica të jetë kantier vitin e ardhshëm siç e kemi planifikuar. Shpresoj shumë që së shpejti të jemi këtu për projektin e madh të infrastrukturës rrugën Milot-Thumanë-Rrogozhinë-Fier”, tha Rama. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.