Pogradec/ Pas 22 vitesh nis puna për regjistrimin fillestar të tokave në fshatin Blacë

TIRANË, 3 qershor /ATSH/ Bashkia e Pogradecit nisi regjistrimin fillestar të tokave në fshatin Blacë, duke i dhënë pronësi për tokën mbi 600 familjeve të këtij fshati, të cilat prej 22 vitesh nuk kishin asnjë certifikatë pronësie, për shkak se ato ishin djegur në trazirat e vitit 1997.

Bashkia Pogradec, bën të ditur se, ky proces është sot një angazhim i mbajtur për qindra familje në fshatin Blacë që prej 22 vitesh nuk mund të kryenin asnjë veprim ligjor me pronat e tyre, për shkak të mungesës së hartave dhe regjistrave hipotekorë, të cilat rezultojnë të jenë djegur në trazirat e 97-ës.

Mungesa e certifikatave të pronësisë për banorët e këtij fshati është problem me të cilin ata përballen prej vitesh, por sot është një premtimi kryesor i bashkisë Pogradec që bëhet realitet për këta banorë.

“Brenda një kohe shumë të shpejtë do të nisë puna për regjistrimin fillestar të tokave në fshatin Blacë dhe së afërmi banorët do të jenë pronarë të ligjshëm të tokave të tyre duke pasur në dorë edhe certifikatat e pronësisë”, njofton bashkia Pogradec. e.xh//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.