Lejet e ndërtimit, INSTAT: Për tremujorin e parë shënuan rënie me gati 25%

TIRANË, 3 qershor/ATSH/ Në tremujorin e parë të këtij viti janë miratuar gjithsej 184 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 245 leje të miratuara në tremujorin e parë të 2019-s, duke shënuar një rënie prej 24.9%.

Sipas raportit të publikuar nga INSTAT, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e parë 2020, është 333 645 m2, nga 581 236 m2 miratuar në tremujorin e parë të 2019-s, duke shënuar edhe ky tregues një rënie prej 42.6%.

Në tremujorin e parë 2020, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 13.4 miliardë lekë, nga 25.2 miliardë lekë miratuar në tremujorin e parë të 2019-s. Ky tregues shënoi një rënie vjetore prej 47%./a.gjonaj//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.