HEC-i i Skavicës/ Denaj: Mbështetje buxhetore për 3 vitet e para sipas kuadrit makrofiskal të miratuar në Parlament

TIRANË, 3 qershor/ATSH/ Ministrja e Financave, Anila Denaj, deklaroi në një intervistë televizive se lëvrimi i garancisë së dytë sovrane nuk ka nisur ende, pasi disa nga analizat e riskut nuk do të jenë aq automatike sa në garancinë e parë sovrane.

Duke shpjeguar procesin, ministrja Denaj  tha se marrëveshjet u realizuan vetëm javën e kaluar. “Është një proces jo i thjeshtë për t’u realizuar pasi çdo bankë merr aprovimet në bordin përkatës. Së dyti, është “risk sharing”, që do të thotë se nuk është vetëm garancia sovrane që merr përsipër rrezikun. 40% merr risk banka sepse kështu është modeluar. Disa nga analizat e riskut nuk do të jenë aq automatike sa në garancinë e parë sovrane”, u shpreh Denaj.

Denaj shtoi ndër të tjera se po shihet mundësia e një garancie të tretë sovrane.

“Po punojmë me BB se si instrumentat e garancisë të operacionalizohen në funksion të një mirëadministrimi të rregullt si për ndjekjen e bankave dhe të bizneseve, ashtu edhe për nevojën se kush do të ishte modaliteti për një garanci të tretë sovrane”, u shpreh ministrja.

Më tej, ajo sqaroi edhe lidhur me skemat e financimit të HEC-it të Skavicës dhe Teatrit Kombëtar.

“Mbështetja buxhetore nuk do t’i mungojë këtij projekti shumë të rëndësishëm për të gjithë vendin. Nuk është një projekt që bëhet në një ditë apo në një vit. Do të ketë një shtrirje në vite dhe do të gjejë mbështetje buxhetore për 3 vitet e para që do të jetë në kuadrin makrofiskal të aprovuar në Parlament”, u shpreh Denaj duke iu referuar HEC-it të Skavicës.

Në lidhje me garancinë sovrane për kredi që ka kërkuar Bashkia e Tiranës për projektin e Teatrit Kombëtar, Denaj tha: “Procesi nis me shprehjen e interesit të bankës apo bankave që mund të mbështesin këtë projekt. Hapësira buxhetore ekziston dhe neve do ta mbështesim atë dhe mbi të gjitha do të synojmë për të marrë kushtet më të lehta dhe produktin më të mirë të mundshëm në aspektin financiar”. z.tosku/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.