FOTO/ Pastrohen rrugët në Lezhë, lehtësi qarkullimi për banorët

TIRANË, 3 qershor/ATSH/ Bashkia e Lezhës po vijon me intensitet pastrimin e territorit në çdo njësi administrative duke përfshirë edhe rrugët nacionale.

Pastrimi i rrugëve rurale mbetet prioritet i punës së bashkisë, e cila ka vijuar pa ndërprerje për të siguruar lehtësi në qarkullimin e mjeteve.

Kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu publikoi pamje nga aksioni i ndërmarrë në segmentin rrugor Rrilë-Shënkoll, ku po ndërhyhet edhe në pastrimin e shkurreve anës rrugës.

“Ne jemi gjithandej. Momente nga puna e sotme e punonjësve të shërbimeve publike në segmentin rrugor Rrilë-Shënkoll. Mirëmbajtje e vazhdueshme për rregull dhe pastërti”, tha Ndreu.

Heqja e shkurreve anës rrugës siguron po ashtu edhe më tepër fushëpamje për drejtuesit e automjeteve, duke evituar në shumë raste edhe aksidentet rrugore.

Pastrimi i mjediseve publike nga mbetjet urbane dhe inerte është një ndër prioritetet e kësaj bashkie, e cila vijon ndërhyrjen në këtë drejtim.

/m.m//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.