Durrës/ Kapet organizatori i tentativës për trafik heroine përmes portit

TIRANË, 3 Qershor /ATSH/- Policia e Durrësit dy javë pasi ndaloi tentativën e trafikimit të heroinës nga porti i Durrësit drejt Italisë, ka arrestuar sot organizatorin e grupit, duke vënë në pranga P. Ç, 55 vjeç.

Më datë 17.05.2020, në PKK Port Durrës, shërbimet e Policisë Kufitare, në bazë të analizës së riskut, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës dhe autoritet doganore, ushtruan kontroll të imtësishëm në vijën e dytë, në kamionin që drejtonte shtetasi Dh. Z. dhe si rezultat i kontrollit, poshtë sediljeve u konstatuan dy vende të fshehura, brenda të cilave ishin fshehur 68 pako me lëndë narkotike të dyshuar heroinë, si dhe vunë në pranga drejtuesin e kamionit, shtetasin Dh. Z., 49 vjeç, banues në Babrru, Tiranë.

Në vijim të punës për zbardhjen e plotë, identifikimin dhe kapjen e personave organizatorë të kësaj tentative për trafikim të drogave të forta drejt Italisë, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, pas një pune operativo-gjurmuese dhe hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, bënë të mundur sigurimin e provave dhe zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

Mbi bazën e provave të grumbulluara, paraditen e sotme, Prokuroria nxori urdhrin e ndalimit për shtetasin P. Ç, 55 vjeç, banues në lagjen nr. 4 Durrës. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në zbatim të urdhrit të ndalimit, e kanë kapur dhe ndaluar shtetasin P. Ç. në afërsi të banesës së tij, në rrugën “Kumini”, në lagjen nr. 4 Durrës. Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se ky shtetas është organizatori dhe poseduesi i sasisë prej 38 kg heroinë të kapur në datën 17.05.2020, në Portin e Durrësit.

Ndërkohë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.