Çuçi: Investimet në industrinë e duhanit rrisin eksportet deri në 1 mijë tonë në 2021

TIRANË, 3 qershor /ATSH/ Në Cërrik ka përfunduar së fundmi një nga investimet më të mëdha në rajon në industrinë e duhanit.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, inspektoi nga afër këtë këtë investim të rëndësishëm të kompanisë  “Igla” sh.p.k me një traditë gati 30-vjeçare në prodhimin e duhanit të markës “Grand” dhe “Guri i Zi”, që ka ndërtuar një fabrikë moderne të përpunimit dhe paketimit të duhanit për eksport.

Ministri Çuçi shprehet se, gjatë vitit 2019 u eksportua nga kjo fabrikë drejt Gjermanisë, Belgjikës, Italisë etj rreth 150 ton duhan.

Synimi është që brenda vitit 2021, eksporti të shkojë në rreth 1 mijë tonë duhan, duke bashkëpunuar për këtë edhe me fermerët që kultivojnë duhan në Cërrik dhe zona të tjera të vendit.

Kapaciteti i fabrikës së pajisur me teknologjinë e fundit është për të përpunuar rreth 400-500 tonë duhan në vit.

Veç investimit në fabrikë, pjesë e kësaj sipërmarrje me cikël të mbyllur janë edhe rreth 50 ha tokë e marrë me qira nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, për ta kultivuar me duhan.

Ndërkohë që “Igla” sh.p.k do të ketë edhe një bashkëpunim me Shkollën e Mesme Bujqësore në Cërrik, për trajnime të ndryshme, praktikat mësimore dhe përfshirje të nxënësve në sipërmarrjet e agrobiznesit.

Ministri i përgëzoi sipërmarrësit Mondi e Faik Dizdari dhe shprehu mbështetje për investimet që tilla që gjenerojnë punësim rritje të ardhurash për ekonomisë dhe zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë rurale. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.