Bonusi prej 40 mijë lekësh/ Bizneset afat edhe 2 ditë për të aplikuar për punonjësit e tyre

TIRANË, 3 qershor/ATSH/ Subjektet që janë përfituese nga vendimi i qeverisë për bonusin prej 40 mijë lekësh për punëmarrësit e tyre kanë edhe 2 ditë afat për të aplikuar, më pas ato do të kenë penalitete.

Në bazë të kritereve të reja të miratuara së fundmi për përfitimin e ndihmës financiare, mbështetje e Qeverisë shqiptare, janë përfitues të ndihmës prej prej 40 mijë lekësh të gjithë individët, të ish-punësuarit në subjektet që janë lejuar të kryejnë aktivitetet ose janë mbyllur, sipas urdhrave të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të cilët janë larguar nga puna nga data 1 mars 2020 deri në datën 17 maj 2020.

Aplikimi për punonjësit përfitues, i kryer online, nga subjektet punëdhënës, deri në datën 5 qershor 2020, i përjashton ata nga penaliteti për mosaplikim.

Në rastet kur punëdhënësi nuk do të kryejë aplikimin brenda datës 5 qershor 2020, të gjithë individëve përfitues (sipas listave bashkëngjitur) do t’iu jepet mundësia për përfitimin e ndihmës financiare në mënyrë automatike pas verifikimit të kritereve bazuar në të dhënat që administrata tatimore disponon apo të dhënave që të punësuarit apo të ish-punësuarit do të dorëzojnë.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u bën thirrje të gjithë subjekteve, të cilët plotësojnë kriteret të plotësojnë kërkesën për përfitim të ndihmës financiare, për individët përfitues. Trajtimi i këtyre kërkesave do të jetë në mënyrë automatike, pra pas dorëzimit të Formularit të plotësuar, në seksionin Statusi shfaqet shënimi Miratuar, që do të thotë se kërkesa është miratuar automatikisht dhe do të vijohet me pagesën e ndihmës financiare prej 40 mijë lekësh./a.gjonaj//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.