Titulli “Mjeshtër i Madh” për futbollistin e shquar Ferid Rragami dhe atletin e mirënjohur Vildan Tufi

TIRANË, 2 qershor /ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot me titullin “Mjeshtër i Madh” dy figura të spikatura të sportit shkodran dhe atij kombëtar, futbollistin e shquar Ferid Rragami, si dhe atletin e trajnerin e mirënjohur, profesor Vildan Tufi.

Në ceremoninë solemne të organizuar në Institucionin e Presidentit të Republikës, Kreu i Shtetit i akordoi titullin e lartë Rragamit me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për kontributin e madh të dhënë në futboll, si një nga futbollistët më të shquar të ekipeve ‘Vllaznia’, ‘Partizani’ dhe Ekipit Kombëtar. Mesfushor energjik, elegant dhe me personalitet të veçantë në fushën e blertë, i cili falë edhe aftësive të tij fizike e teknike, arriti rezultate të shkëlqyera sportive në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare”.

Ndërsa prof. Tufit, titulli iu akordua me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për rezultatet e larta dhe kontributin shumëvjeçar si atlet e trajner kampion në sportin e atletikës, veçanërisht në garat e kërcimit së gjati, trehapësh, garat e shpejtësisë dhe 10-garësh. Pasioni dhe profesionalizmi i tij do të mbeten një shembull i çmuar në përgatitjen dinjitoze të atletëve elitarë dhe frymëzim për kampionët e ardhshëm të atletikës tonë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar”.

Presidenti Meta në fjalën e tij përshëndetëse, u shpreh se, “është një privilegj dhe përgjegjësi e veçantë të nderoj vazhdimisht figura të shquara të sportit shqiptar, kontributet e jashtëzakonshme të të cilëve janë pjesë e trashëgimisë së kulturës sportive, por edhe të krenarisë sonë kombëtare”.

“Kam kënaqësinë të vlerësoj me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’, dy sportistë dhe kampionë mjaft të njohur nga Shkodra, qyteti që i ka dhënë aq shumë sportit shqiptar dhe që një vit më parë festoi 100-vjetorin e krijimit të Klubit Sportiv ‘Vllaznia’. Kam kënaqësinë të nderoj Ferid Rragamin, futbollistin legjendar, të suksesshëm e dinjitoz, mesfushorin e gjithanshëm dhe të talentuar të ‘Vllaznisë’, ‘Partizanit’ dhe ekipeve Kombëtare, lojtarin, që do ta donte çdo skuadër e madhe. Rragami është dalluar për inteligjencën, forcën, harmoninë, për frymën e ekipit që ai rrezatonte me lojën e tij në fushën e blertë”, tha Meta.

“Njëkohësisht sot është një privilegj për mua të vlerësoj Profesor Vildan Tufin, rekordmenin dhe kampionin e palodhur të atletëve elitarë shkodranë, por edhe të përfaqësueses tonë për gjithë këto dekada, pasi Shkodra, përveç futbollit është qyteti, që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për zhvillimin e atletikës dhe të shumë disiplinave të saj. Profesor Vildan Tufi si trajner është fitues i 80 medaljeve në aktivitetet kombëtare. Atletët e tij kanë përmirësuar 110 rekorde kombëtare të moshave të ndryshme. Ata kanë fituar 24 medalje në aktivitetet e rëndësishme ndërkombëtare, nga të cilat 8 medalje të arta”, u shpreh Meta.

/gj.mima//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.