Rritja e borxhit publik nuk do të sjellë rritje të taksave këtë vit

TIRANË, 2 qershor/ATSH/ Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Milva Ekonomi deklaroi sot se pritshmëritë afatgjata janë për një dalje të mirë nga kriza postCOVID-19, por që aktualisht situata kërkon zhvillime afatshkurtra.

“Kjo kërkon jo vetëm angazhim nga qeveria për ndërhyrje në ekonomi, por edhe nga sektori privat, që duhet të shohë si sfidë atë që po vjen përpara”, tha Ekonomi në një intervistë në një media.

Ekonomi, shpjegoi se qeveria pritet të dalë në tregjet ndërkombëtare përmes eurobondit që parashikohet në vlerë 650 milionë euro.

Sipas saj, ky nuk është viti i parë i emetimit të eurobondeve. Ekonomi tha se institucionet ndërkombëtare të financave thonë se Shqipëria ka ende mundësi për të përballuar rritje të borxhit publik.

“Paralelisht me eurobondin, qeveria ka miratuar huamarrjen e 170 milionë dollarëve nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN)”, tha Ekonomi.

Më tej, Ekonomi deklaroi se qeveria nuk po planifikon rritje të taksave as për biznesin dhe as për qytetarin.

Komisioni parlamentar për Ekonominë dhe Financat diskuton për emetimin e një eurobondi 650 milionë eurosh./a.gjonaj//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.