FUTBOLL – Messi: Futbolli pas COVID-19 nuk do të jetë më i njëjti

BARCELONË, 2 qershor /ATSH-AA/ – Një nga futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave, Lionel Messi tha se pas pandemisë futbolli nuk do të jetë më i njëjti.

Messi theksoi se ‘’epidemia do të ndikojë në futbollin në fushë dhe jashtë saj’’.

“Mendoj se futbolli dhe jeta në përgjithësi nuk do të jenë më të njëjtë. Vështirësitë financiare që kompanitë e lidhura me botën e sportit do të përjetojnë do të ndikojnë në futboll”, tha Messi.

‘’Gjërat që dikur ishin normale në stërvitje dhe ndeshje do të ndryshojnë gjithashtu. Ndryshimi i rutinës do të jetë situatë e vështirë për sportistët”, tha Messi.

“Unë jam mirënjohës për punonjësit e shëndetit që janë duke luftuar koronavirusin. Të gjithë pyesin se çfarë forme do të marrë jeta pas përfundimit të epidemisë. Kjo periudhë krize ka prodhuar shumë pasoja negative, por nuk ka asgjë më të dhimbshme sesa të humbasësh njerëzit e dashur,”, shtoi Messi duke ngushëlluar të gjithë familiarët e viktimave.   /os/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.