FOKUS – Agjencitë simotra të ATSH: COVID-19 nxori në pah forcën e informacionit real të agjencive të lajmeve

TIRANË, 2 qershor /ATSH/ – Informacioni real, në kohë dhe i vazhdueshëm ishte forca e agjencive publike të lajmeve gjatë pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, është konkluzioni i drejtuesve të disa agjencive publike europiane të lajmeve, në opinionet e tyre dhënë Aleancës Europiane të Agjencive të Lajmeve (EANA), ku Agjencia Telegrafike Shqiptare është anëtare me të drejta të plota.

”Agjencitë publike të lajmeve dëshmuan edhe një herë se ishin në ballë të sigurimit të informacionit të vërtetë. AGERPRES u mbështet në informacionin zyrtar për të mos përhapur panik në opinionin publik gjatë krizës së Covid-19. Sigurimi i një informacioni me cilësi të lartë është baza e lajmeve për gazetarët e AGERPRES-it”, thotë Claudia Nicolae, drejtoreshë e përgjithshme e agjencisë rumune të lajmeve AGERPRES.

”Agjencitë e lajmeve kurrë nuk duhet të harrojnë misionin e tyre publik për të siguruar informacion të saktë dhe objektiv, veçanërisht në raste krizash, kur interesi për lajmet aktuale rritet dhe kur lajmet e rreme dhe dezinformimi po përshkallëzohen”, thekson ajo.

”Në kohë krize, të gjithë janë në të njëjtën anë të barrikadës dhe media ka një rol thelbësor në promovimin dhe transmetimin e vendimeve të shtetit në luftën kundër pandemisë. Gjatë kësaj kohe ne zbatuam të gjitha masat që kërkoi qeveria. Dhe ne vazhdimisht i informonim kolegët tanë për to. Gjatë gjendjes së jashtëzakonshme kemi marrë masat e duhura, ndërkohë që një pjesë e madhe e kolegëve tanë zgjodhën të punonin nga shtëpia”, shton Nicolae.

”Ne jemi përqendruar vetëm në informacionin zyrtar. Ne ofrojmë vetëm përmbajtje dhe të dhëna të besueshme”, përfundon ajo.

Ndërkohë, Fabrice Fries, presidenti i agjencisë franceze të lajmeve, AFP, thotë se çelësin e suksesit në këto situata e sheh te vetë agjencitë e lajmeve.

”Gjatë pandemisë ne ndërtuam një program masiv të punës në shtëpi. Për të dhënë një tregues të shkallës së ndryshimit në procedurat e punës, gjatë kohës së bllokimit ka pasur një personel më pak se 40 persona në Paris, krahasuar me 1 000 të tillë në një ditë normale pune”, shton ai.

”A kemi qenë efikas? Unë mendoj se kemi qenë në gjendje të ruajmë pa ndërprerje një nivel të jashtëzakonshëm shërbimi për klientët tanë, ndërsa mbrojmë edhe stafin tonë. Deri më tani, kemi pasur 85 raste të dyshuara të Covid-19, që është 3% e stafit tonë të përgjithshëm, por shumë pak raste të shtrimit në spital dhe më e rëndësishmja nuk ka raste që kërkojnë trajtim të kujdesit intensiv”, thotë Fries.

Për drejtorin e përgjithshëm të agjencisë greke të lajmeve, ANA-MPA, Eftychios Pallikaris, të gjithë duhet të përfitojnë nga mësimet e marra nga koha e pandemisë.

”ANA-MPA u prek në mënyrë drastike nga pandemia SARS-CoV-2, duke pasur parasysh që praktikisht i gjithë prodhimi i lajmeve nga ANA-MPA dhe shpërndarja e të dhënave dhe informacioni u inicua, u përpunua dhe u qarkullua nga gazetarë që punonin larg selisë kryesore të agjencisë”, thotë Pallikaris.

”Roli që agjencitë kombëtare të lajmeve kanë marrë dhe që duhet të vazhdojnë ta ushtrojnë në mënyrë të palëkundshme në këtë “fshat-kibernetik” global të zgjeruar në mënyrë eksponenciale, është ai i sigurimit të informacionit në kohë, të vazhdueshëm dhe të besueshëm për palët e interesuara, për media të tjera masive dhe, për nga shtrirja, për publikun e gjerë. Do të thotë që kjo është edhe më thelbësore në kohë krize”, thekson ai.

”Duhet t’u qëndrojmë stoikë parimeve themelore të gazetarisë: raportimit objektiv, në kohë, të vazhdueshëm dhe të saktë të lajmeve”, shton Pallikaris.

Ndërkaq, Alex Teres, zëvendëspresident i agjencisë andorase të lajmeve, ANA, thotë se gjatë pandemisë numri i lajmeve të prodhuara nga kjo agjenci ishte pothuajse dyfishuar.

”Që nga fillimi i krizës së koronavirusit, prodhimi i lajmeve për shkak të pandemisë është rritur përafërsisht 50%, veçanërisht për shkak të rritjes së informacionit të dhënë nga qeveria e Andorës.

”Media e Andorës do të zhvillohet drejt botimeve digjitale dhe përmbajtjes audiovizuale. Kriza ka shërbyer gjithashtu për të forcuar radion dhe televizionin publik, dhe kështu që botimet digjitale kanë fituar audiencë dhe, mbi të gjitha, në mënyrë të menjëhershme”, shton ai.

”Media tradicionale është akoma e rëndësishme, por ajo duhet të digjitalizohet për të mos humbur tregun”, thekson Teres./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.