Nga Agim Qirjaqi, Lazër Filipi tek Albert Verria/ Veliaj u vë rrugëve në Tiranë emrat e aktorëve të njohur

TIRANË, 1 qershor/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka vlerësuar disa prej figurave që kanë lënë gjurmë në jetën artistike të kombit tonë, duke u vendosur rrugëve të qytetit emrat e aktorëve të mëdhenj.

Në listën e miratuar nga këshilli bashkiak, disa prej rrugëve në kryeqytet do të mbajnë emrat e ikonave të Teatrit dhe të Kinematografisë shqiptare si Lazër Filipi, Agim Qirjaqi, Albert Verria, etj., një vlerësim ky jo vetëm për punën e tyre, por edhe për tërë komunitetin e artistëve.

Një tjetër emër që spikat është ai i Artan Minarollit, që ka lënë gjurmë si regjisor në mjaft filma. Një nga rrugët do të mbajë edhe emrin e aktores që mban titullin “Artiste e Merituar” Antoneta Papapavlit, që ka interpretuar mbi 50 role në Teatrin Kombëtar, ka mbi 20 vjet karrierë artistike, si dhe në 16 role në filmin artistik shqiptar, ku veçohen rolet e Afrovitit te “Karnavalet e Korçës”, Cuca te “Cuca e maleve”, Drita te “Drita”, Mara te “Toka jonë” etj.

Gjithashtu dhe Ferial Alibali, një nga aktoret e para të skenës profesioniste të vendit tonë do të ketë një rrugë që do të mbajë emrin e saj. Me mbi 50 role në skenë, Alibali është vlerësuar nga bashkia e Tiranës për interpretimin magjik në teatër dhe në filmat artistikë.

Bashkia e Tiranës ka vendosur të nderojë dhe aktoren Esma Agolli e cila ka luajtur shumë role në teatër dhe kinematografi, por rolet që spikasin janë te “Mysafiri” (1979), zonja Neriman te filmi “Përtej mureve të gurta” (1979), “Fëmijët e saj” (1957), etj. Agolli mban titullin “Artiste e Merituar”.

z.tosku/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.