MONTREAL, 1 qershor /ATSH-AFP/- Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil (ICAO) publikoi sot një mori rekomandimesh shëndetësore për transportin ajror, me qëllim rimëkëmbjen e një sektori të prekur keq nga pandemia e koronavirusit.
Ky protokoll shëndetësor është fryt i punës së një Task Force ndërkombëtare, të vënë nga OKB-ja, në bashkëpunim me shumë organizata, si OBSH ose Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA).
“Udhëtari duhet të paraqesë, pas mbërritjes në aeroport, një deklaratë shëndetësore dhe t’i nënshtrohet një kontrolli të parë të temperaturës”, sugjeron ICAO.
Duhet të favorizohet kontrolli në internet para mbërritjes në aeroport dhe pikat e kontrollit të sigurisë duhet të ripërcaktohen me qëllim kufizimin e kontaktit fizik dhe radhët.
Rekomandimet kanë për qëllim të jenë një kornizë, që synon sigurinë e pasagjerëve dhe të personelit në aeroporte dhe avionë./ /ervo/
