TIRANË, 1 qershor/ATSH/ Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, dega Gjirokastër, ka kryer sot 47 monitorime në disa subjekte.
“Konkretisht u zhvilluan monitorime të paraqitura në platformën googleforms në 3 qendra shëndetësore, 5 ambulanca, 9 bar-kafe/restorante/fast food, 1 farmaci bujqësore, 14 institucione arsimore, 1 parukeri, 10 tregtim produktesh ushqimore, 1 klinikë dentare, 2 furrë buke/pastiçeri dhe 1 tregtim produktesh joushqimore”, bëri të ditur ISHSH.
Sipas ISHSH, nga monitorimi në qendrat shëndetësore dhe ambulanca u konstatua se personeli ishte i pajisur me maska, doreza dhe dezinfektantë; ishin vendosur posterat e COVID-19 dhe shenjat e largësisë; në hyrje ishin vendosur dezinfektantë; tualetet ishin të pastër dhe me ujë të rrjedhshëm, si dhe të pajisura me detergjentët përkatës; nuk kishte grumbullime të pacientëve.
“Nga monitorimi në institucionet arsimore u konstatua se kryhej matja e temperaturës në hyrje nga personeli shëndetësor me termometër infrared; kishte prezencë të dezinfektantëve; personeli dhe nxënësit ishin të pajisur me masa mbrojtëse dhe dezinfektantë. Gjithashtu në kopshte respektohej largësia midis fëmijëve”, thekson ISHSH.
ISHSH sqaron se “nga monitorimi i subjekteve të tjera u konstatua se 24 subjekte ishin të pajisura me lejen e ushtrimit të aktivitetit. Ato kishin afishuar protokollet përkatëse dhe posterat; respektohej distancimi social; punonjësit kishin masa mbrojtëse; kishte prani të dezinfektantëve etj. 1 subjekt nuk ishte pajisur me lejen e ushtrimit të aktivitetit. Ai u këshillua për pajisjen me leje”./k.s/j.p/r.e/
