Bulqizë/ Kopshtet dhe çerdhet rihapen sipas protokolleve të sigurisë

TIRANË, 1 qershor/ATSH – I. Vata/ Pas një shkëputjeje gati tremujore, fëmijët e çerdheve dhe kopshteve në bashkinë e Bulqizës i janë rikthyer sërish normalitetit.

Nënkryetarja e bashkisë Bulqizë, Enkeleda Lleshi së bashku me drejtorin e Arsimit, Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sportit, Aleks Sinani inspektuan nga afër fillimin e mësimit ne kopshtet e bashkisë.

Ata konstatuan se në këto institucione ishin zbatuar të gjitha udhëzimet e dhëna nga Ministria e Shëndetësisë: Dezinfektimi i të gjithë ambienteve, vendosja e higjienizuesve  për duart në trajtë solucioni me përmbajtje aktive alkooli 60%, përdorimi i termometrave digjital, përdorimi i maskave dhe dorezave nga stafi personeli sanitar dhe kuzhinierët, përcaktimi i grafikut të orareve për sjelljen dhe marrjen e fëmijëve nga kopshti, hartimi i një grafiku për pastrimin dhe dezinfektimin e ambienteve të institucioneve.

Nënkryetarja e bashkisë, Lleshi uroi stafin dhe fëmijët për rikthimin e tyre në kopshte dhe çerdhe edhe për festën e 1 Qershorit. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.