“Absurditet vendimi i Kurtit”/ Thaçi: Hapet me Serbinë e mbyll Kosovën nga Shqipëria

TIRANË, 1 qershor/ATSH/ Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e cilësoi sot absurditet vendimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili vendosi që shqiptarët që hyjnë në Kosovë të karantinohen për 7 ditë.

“Albin Kurti derisa ka hapur krahë më krah kufirin me Serbinë, për të hyrë kushdo, pa asnjë procedurë si në bahçe të babës, ai nga zyra e uzurpuar sot ka urdhëruar dhe keqpërdorur Policinë e Kosovës”, – tha Thaçi.

Presidenti Thaçi shprehet se “ai padrejtësisht dhe kundërligjshëm sot ka urdhëruar policinë që të gjithë qytetarët e Shqipërisë që hyjnë në territorin e Kosovës, përveç vonesave procedurale, të dërgohen shtatë ditë në karantinë për të pritur testimin për COVID-19. Po ashtu, me veprime shtesë, ai ka urdhëruar që automjetet transportuese që hyjnë nga territori i Shqipërisë në emër të dezinfektimit të ngarkohen me taksë të veçantë, duke rënduar edhe më shumë lëvizjen e lirë dhe qarkullimin e mallrave”.

“Ky është absurditet! Hapet me Serbinë dhe e mbyllë Kosovën nga Shqipëria. I heq taksën Serbisë dhe ia vë Shqipërisë. Ky është predikuesi i bashkimit kombëtar. Në fakt, këto veprime janë shqelmat e fundit të Kurtit nga zyra e uzurpuar”, – tha Thaçi./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.