Durrës/ Arrestohet shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar

TIRANË, 31 maj /ATSH – I. Vata/- Policia e Shtetit vijon operacionet për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Operacioni nga DVP Durrës, në bashkëpunim me Zyrën Qendrore Kombëtare Interpol Tirana bëri të mundur lokalizimin, kapjen dhe arrestimin provizor, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, të shtetasit F. T., 49 vjeç, banues në Gjepalaj, Shijak, Durrës.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, në bazë të urdhër-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Gjykata e Pavias, Itali, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.

Arrestimi provizor u krye me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” dhe marrëveshjen dypalëshe mbi ekstradimet, nënshkruar mes Republikes së Shqipërisë dhe Italisë. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.