FOTO/ Bashkia e Tiranës çdo ditë në terren për të garantuar sigurinë e qytetarëve

TIRANE, 30 maj/ATSH/- Siguria e qytetarëve është në fokus të punës së përditshme të Bashkisë së Tiranës. Përpos investimeve madhore, në projekte infrastrukturore dhe jo vetëm, çdo ditë vijon puna për mirëmbajtjen e rrugëve, ndriçimit, ambientit që na rrethon, dhe çdo elementi që ndikon në jetën e qytetarëve.

Gjatë ditëve të fundit, punëtorët e qytetit kanë vijuar punën për mirëmbajtjen e kangjellave në anë të rrugës për të garantuar sigurinë e këmbësorëve dhe përdoruesve të biçikletave.

Teksa publikon disa foto nga puna në terren, Drejtoria e Mirëmbajtjes së Rrugëve dhe Ndriçimit në Bashkinë e Tiranës thekson se “çdo detaj, sado i vogël ka rëndësi për qytetin që të jetë sa më i rregullt, estetik dhe funksional. Ekipi ka punuar nëpër disa rrugë të Tiranës duke mirëmbajtur disa nga kangjellat e dëmtuara. Ka rëndësi mirëmbajtja e tyre si për estetikën po ashtu edhe për sigurinë e qytetarëve”.

Ndërkaq, një vëmendje e veçantë punëtorët e qytetit i dedikojnë mirëmbajtjes në çerdhe, kopshte, shkolla, si dhe këndet e lodrave, për të garantuar kushte sa më të mira për të vegjlit e kryeqytetit.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.