TIRANË, 30 maj/ATSH/ -Ambasada e Shqipërisë në Bullgari njoftoi sot të gjithë qytetarët shqiptarë se autoritetet bullgare kanë vendosur ndalimin e përkohshëm të hyrjes në Bullgari të të gjithë shtetasve, pavarësisht nga shtetësia e tyre në të gjitha pikat e kalimit kufitar të transportit tokësor, ajror, detar dhe hekurudhor duke filluar nga data 1 qershor 2020 deri në një njoftim të dytë.
Nga kjo masë përjashtohen shtetasit bullgarë, shtetasit e shteteve të BE-së, Mbretërisë së Bashkuar, Irlandës së Veriut, vendeve të zonës Shengen duke përfshirë San Marinon, Andorrën, Monakon dhe Vatikanin si dhe shtetasit e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, anëtarët e familjes së shtetasve bullgarë si dhe bashkëjetuesit e shtetasve bullgarë, qytetarët, që kanë leje qëndrimi afatgjatë ose të përhershme në Bullgari dhe familjarët e tyre.
Gjithashtu, përjashtohen profesionistët dhe studiuesit mjekësorë si dhe punonjësit socialë, kur qëllimi i udhëtimit lidhet me përmbushjen e detyrës; punëtorët, që merren me furnizimin me produkte mjekësore, produkte për mbrojtje personale, aparate mjekësore duke përfshirë edhe instalimin dhe mirëmbajtjen; personeli i transportit i angazhuar në sektorin e transportit, transportit ndërkombëtar të udhëtarëve, ekuipazhi i avionëve të transportit të mallrave, ngarkesave dhe pasagjerëve si dhe ekuipazhi i anijeve dhe personat e angazhuar me mirëmbajtjen e anijeve; zyrtarët e huaj (Krerët e shteteve, Ministrat e Qeverive etj.) dhe anëtarët e delegacioneve të tyre si dhe diplomatët, zyrtarët e organizatave ndërkombëtare, personeli ushtarak dhe punonjësit humanitarë gjatë përmbushjes së shërbimeve humanitare; personat, që udhëtojnë për motive humanitare; përfaqësuesit tregtar dhe investitorët ekonomikë dhe personat e angazhuar në ndërtimin, mirëmbajtjen dhe përdorimin e infrastrukturës strategjike të Bullgarisë sipas përcaktimeve ligjore; punëtorët sezonalë të punësuar në bujqësi dhe turizëm si dhe punonjësit e pikave kufitare.
Ambasada shton se, kalimi tranzit në territorin e Bullgarisë lejohet vetëm për shtetasit e shteteve anëtare të BE-së, Mbretërisë së Bashkuar, Irlandës së Veriut, vendeve të zonës Shengen duke përfshirë San Marinon, Andorrën, Monakon dhe Vatikanin si dhe anëtarët e familjes së tyre, që kërkojnë të kthehen në vendbanimin e tyre;
Sshtetasit e vendeve të treta, që kanë një lejeqëndrimi afatgjatë të lëshuar nga një shtet tjetër anëtar të BE-së, Mbretëria e Bashkuar, Irlanda e Veriut ose nga një vend i zonës Shengen duke përfshirë San Marinon, Andorrën, Monakon dhe Vatikanin si dhe anëtarët e familjes së tyre, që kërkojnë të kthehen në vendbanimin e tyre; qytetarët serbë, maqedonas, malazezë dhe turqë, që kërkojnë të kthehen në vendbanimin e tyre.
Kalimi tranzit lejohet vetëm kur garantohet largimi i menjëhershëm nga territori bullgar.
Çdo shtetas, që hyn në territorin e Bullgarisë nga shtete si: Mbretëria e Bashkuar, Irlanda e Veriut, Suedia, Belgjika, Portugalia, Spanja, Italia, Malta si dhe vendet e treta, me përjashtim të Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut do të vendoset në karantinë 14 ditore në vendbanimin e tij ose në vendin e akomodimit të përcaktuar.
Përjashtimisht, nuk i nënshtrohen karantinës subjektet e mëposhtme; shtetasit bullgarë dhe shtetasit e shteteve të tjera anëtare të BE-së, Mbretërisë së Bashkuar, Irlandës së Veriut dhe vendeve të zonës Shengen duke San Marinon, Andorrën, Monakon dhe Vatikanin, zyrtarët e huaj dhe anëtarët e delegacioneve të tyre si dhe diplomatët, zyrtarët e organizatave ndërkombëtare, personeli ushtarak dhe punonjësit humanitarë gjatë përmbushjes së shërbimeve humanitare si dhe përfaqësuesit tregtar dhe investitorët ekonomikë; drejtuesit e autobusëve të transportit ndërkombëtar të udhëtarëve; drejtuesit e kamionëve, që merren me transportin e mallrave si dhe qytetarët bullgarë, anëtarë të ekuipazhit të anijeve.
Gjithashtu, karantinës nuk i nënshtrohen profesionistët dhe studiuesit mjekësorë si dhe punonjësit socialë; punëtorët, që merren me furnizimin me produkte mjekësore, produkte për mbrojtje personale, aparate mjekësore duke përfshirë edhe instalimin dhe mirëmbajtjen si dhe punonjësit e pikave kufitare.
/gj.mima/ /a.g/