Shqipëria në moment historik për integrimin/ Tryezë mes të gjithë aktorëve për bashkërendim

TIRANË, 29 maj /ATSH – I. Vata/ Kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla tha se Presidenti Meta ka patur një sjellje korrekte gjatë periudhës së pandemisë.

Duke folur për situatën e pandemisë, i ftuar në një emision televiziv, Balla vlerësoi kontributin e Presidentit Meta.

“Përgjatë pandemisë ka patur një qasje institucionale nga ana e Presidentit të Republikës në ato pak kompetenca që ka Presidenti i Republikës dhe komunikimi me ekzekutivin, me ministrat e linjës së parë të përballjes me COVID-19. Ndërkohë mendoj se në një situatë të vështirë do duhej që të gjithë të silleshin njëlloj në mbështetje të qeverisë dhe modeli më i mirë ishte modeli i opozitës në Portugali, ku kryetari i opozitës i shprehu mbështetjen kryeministrit. Ndërkohë se çfarë bëri opozita këtu, qytetarët e dinë më mirë”, tha ai.

Balla shtoi se ndryshe nga Presidenti, opozita nuk pati qasje pozitive gjatë pandemisë.

“Opozita në periudhë të pandemisë ka patur një sjellje të pashoq, me histori denoncimesh të panevojshme. Kur ne po mbylleshim, opozita thoshte ‘pse po mbyllemi’. Kryeministri shfrytëzoi çdo mundësi të komunikimit publik për t’u bërë thirrje shqiptarëve për t’u ruajtur nga virusi, opozita bërtiste pse kryeministri përdor telefoninë celulare për të bërë këtë apel, ndërkohë kur po hapeshim, thoshte ‘pse po hapemi’”, tha ai.

Në vijim, Balla tha se shqiptarët sot kanë nevojë për mesazhe pozitive. “Jemi në një moment historik të Shqipërisë për integrimin europian, sepse përgjatë ditëve të betejës  me COVID-19 kemi marrë një lajm të mirë, atë të konfirmimit për anëtarësim në BE. Mendoj se në fillim të qershorit Komisioni Europian do ta ketë përgatitur kuadrin e negociatave më Shqipërinë, që është dokumenti me të cilin do punojmë, ndërkohë dhe ne si Shqipëri do kemi gati dokumentin e strategjisë tonë të negociatave. Qershori duhet të jetë një muaj intensiv i të gjithë institucioneve që duhet të kontribuojnë, dhe këtu në këtë kontekst, edhe opozita merr një rol të rëndësishëm. Ne i kemi besuar opozitës drejtimin e  Këshillit Kombëtar të Integrimit, drejtohet nga Rudina Hajdari, por dhe opozita joparlamentare duhet të kontribuojë në këtë proces dhe është e lutur të kontribuojë”, tha ai.

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla tha se Komisioni Hetimor për Shkarkimin e Presidentit përfundon brenda këtij sesioni parlamentar.

“Përmbyllja nga Komisioni i Venecias edhe i opinionit që lidhet me betimin apo me çështjen e emërimit në Gjykatën Kushtetuese, përmbyll dhe dokumentin e fundit që pret Komisioni Hetimor Parlamentar për t’u konkluduar mbi çështjet në hetim si shkelje kushtetuese nga ana e Presidentit të Republikës. Unë nuk dua t’i paraprij raportit të këtij Komisioni Hetimor”.

Balla tha se “kur ndodhin hetime të tilla parlamentare, përveç gjetjeve që lidhen me shkarkimin ose jo të presidentit të Republikës rekomandohen një sërë ndryshimesh të nevojshme qoftë kushtetuese, apo ligjore, për të shmangur situata të ngjashme në të  ardhmen.

“Prandaj Komisioni Hetimor e ka vazhduar punën, jurisprundenca e nevojshme e vendosur në dispozicionin e dy opinioneve të Venecias që kanë lindur si nevojë e këtij hetimi duhen përkthyer në gjetje të raportit përfundimtar të këtij komisioni dhe për të qenë korrektë, në fund të këtij sesioni parlamentar përfundon dhe ky komision hetimor”, tha ai.

Në lidhje për një bashkëpunimin me opozitën, Balla tha se “Kryeministri Rama në mënyrë të vazhdueshme i ka bërë thirrje opozitës joparlamentare që drejtohet nga Basha dhe nevoja në këtë proces të rimëkëmbjes ekonomike, nevoja në këtë fazë të procesit të integrimit për të qenë bashkë me të gjithë aktorët politikë, nevoja për të pasur sa më shpejt një tryezë të madhe të të gjithë aktorëve, në nevojën e bashkërendimit të të gjitha forcave në dobi të vendit dhe kurrë nuk ka munguar dora e shtrirë e Kryeministrit”.

Balla duke iu referuar marrëveshjes së 2017, tha se ka qenë një marrëveshje e përkohshme për të risjellë në sistem PD, e cila nuk donte të hynte në zgjedhjet e 2017-s.

“Pra nuk ka qenë një marrëveshje afatgjatë, por e përkohshme, e cila nuk duhet dhe nuk ka për t’u ripërsëritur asnjëherë. Historia se një parti politike nuk hyn në zgjedhje, vë kushte të hyjë në qeveri me ty, mendoj se nuk është e nevojshme dhe besoj se PD dhe Basha janë maturuar, se që të qeverisësh duhet të fitosh zgjedhjet. Ne do të marrim një mandat të tretë për të qeverisur vendin”, tha ai.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.