Tomini apel qytetarëve: Evitoni grumbullimet masive, respektoni distancimin fizik dhe higjienën

TIRANË, 29 maj/ATSH/  Epidemiologia e Institutit të Shëndetit Publik, Dr. Eugena Tomini, deklaroi sot se “kemi një trend në rritje të rasteve të regjistruara COVID-19 të paktën në 4 qytete. Është një trend në rritje krahasuar me dy javë më parë. Mbyllja e kësaj jave përkon me trendin më të lartë në 3-4 javët e fundit”.

Në një intervistë televizive epidemiologia e ISHP-së Eugena Tomini, tha se kjo “duhet të theksohet se ka një zbehje të vigjilencës dhe përdorimit të mjeteve mbrojtëse personale. E kemi shprehur gjithmonë që nga momenti i zbehjes së pandemisë në vend, çdo rast me hapjen e sistemit shëndetësor, me hapjen e lehtësimit të masave në mënyrë graduale, përsa i përket sistemeve shëndetësore ose mosruajtjes së distancimit fizik, çdo person do të konsiderohet si “COVID pozitiv”.

“Ne e kemi theksuar shpesh se 85% e rasteve janë asimptomatikë dhe zbehja e distancimit fizik, mosrespektimi në largësi 1.5 m dhe më shumë, detyrimisht sjell kontakte të ngushta. Sjell prishje të respektimit të masave mbrojtëse personale dhe për rrjedhojë do kemi një transmetueshmëri nga një individ në tjetrin”, – tha Tomini.

E pyetur nëse edhe personeli shëndetësor i ka zbehur paksa masat mbrojtëse, Tomini tha se “transmetimi i infeksionit i një personeli shëndetësor i cili ka pasur kontakt me burim të jashtëm nga QSUT, u kthye në një burim të brendshëm në qendrën spitalore, duke sjellë infektimin e personelit mjekësor. Sigurisht është një ulje e vigjilencës edhe përkundrejt stafeve mjekësore, përkundrejt një trendi të ulur të infeksionit COVID në vend dhe përkundrejt uljes së numrit të rasteve të shtruar në spital”.

“Sigurisht edhe personeli shëndetësor hyn në pjesën e popullatës, janë njerëz si gjithë të tjerët dhe kanë humbur vigjilencën”, – shtoi ajo.

Tomini tha se se “respektimi i distancimit fizik, por mbi të gjitha i masave mbrojtëse të kontrollit të infeksionit spitalor është tepër i rëndësishëm, për të mos sjellë transmetim të ndërsjellë nga pacienti te personeli dhe anasjelltas”.

“Kjo ka bërë që në trendin e këtyre ditëve tendenca e pozitivitetit të shihet në të dyja anët edhe tek perosoneli shëndetësor edhe tek pacienti”, – u shpreh ajo.

Lidhur me hapjen e turizmit nëse ka rrezik për një infektim masiv, Tomini tha se “trendi i ditëve të fundit ku ka pasur 20-25 raste në ditë ka nxjerrë në alert strukturat shëndetësore por edhe ndërgjegjësimi i popullatës duhet të jetë në të njëjtën linjë me alertin e strukturave shëndetësore”.

“Ndërgjegjësimi i popullatës duhet të vijojë të bashkojmë forcat për të qenë të përgjegjshëm kundrejt shëndetit tonë”, – tha ajo duke shtuar se duhet të evitojmë grumbullimet masive dhe të respektojmë distancimet fizike. /k.s/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.