Nga 1 qershori lejohet lëvizja në të gjithë territorin/ Hapen kufijtë tokësorë pa vetëkarantinim, nisin punën kopshtet e çerdhet

TIRANË, 29 maj/ATYSH-Maela Marini/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi sot se nga 1 qershori lejohet lëvizja në të gjithë territorin e vendit, si dhe hapen një seri aktivitetesh dhe kufijtë tokësorë pa vetëkarantinim.

Gjatë një komunikimi me publikun, Manastirliu bëri të ditur të gjitha aktivitetet që do të lejohen prej 1 qershorit duke zbatuar në mënyrë strikte masat dhe protokollet e sigurisë.

Pas rekomandimeve nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, Manastirliu deklaroi se prej datës 1 qershor do të lejohet lëvizja e lirë e qytetarëve dhe automjeteve në të gjithë territorin dhe do të hapen çerdhet e kopshtet, një seri aktivitetesh dhe kufijtë tokësorë, duke hequr karantinimin e detyruar dyjavor dhe duke e vendosur atë vetëm për raste specifike.

“Nisur nga vlerësimi epidemiologjik deri tani, në konsultim me Komitetin Teknik është vendosur që të ndjekim planin e miratuar në strategjinë e rihapjes dhe nga data 1 qershor lejohet lëvizja e qytetarëve dhe automjeteve në të gjithë territorin, në të gjitha qytetet dhe qarqet e vendit”, tha Ministrja.

Po ashtu, ajo tha se rihapen çerdhet dhe kopshtet publike dhe private duke zbatuar protokollet e sigurisë të miratuara.

“Nga 1 qershori hapen kufijtë tokësorë, duke pezulluar karantinimin dyjavor, si një masë e cila është ndjekur nga vendet europiane. Masa e vendosjes së karantinës dyjavore do të mbetet si masë në raste të veçanta me urdhër të autoriteteve shëndetësore sipas kritereve të përcaktuara nga ECDC – Qendra Europiane e Kontrollit të Sëmundjeve”, tha Manastirliu.

Po ashtu, Manastirliu theksoi se “nga data 1 qershor plazhet do të jenë të hapura, nën masa të sigurisë, sipas një plani i cili përfshin gjithë vijën bregdetare, si një zonë e sigurt”.

“Plazhet sipas zonave të miratuara do të jenë të përcaktuara me autorizime të posaçme nga një Autoritet i Përkohshëm që është ngritur për këtë periudhë dhe do të administrojë lejet për vendosje të pajisjeve të plazhit nëpërmjet një aplikimi online dhe një protokolli të veçantë për të siguruar ruajtjen e distancave dhe kushtet higjieno-sanitare në plazhe. Ndaj ftojmë të interesuarit të zbatojnë procedurat e publikuara, duke informuar se çdokush që shkel rregullat në plazh do të penalizohet”, tha Ministrja.

Po ashtu ajo theksoi se nga data 1 qershor do të lejohen kampionatet sportive, pa praninë e publikut. “Do të hapen parqet, qendrat e formimit arsimor, kulturor, qendrat e internetit sipas protokolleve të sigurisë, si dhe palestrat sipas protokolleve të miratuara”, tha ajo.

Ndërkohë, Manastirliu tha se “do të vijojë të jetë i mbyllur transporti publik, për të cilin po punohet me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transporteve për një plan i cili do të bëhet publik në një kohë të shpejtë”.

Po kështu, ajo theksoi se “do të vijojnë të jenë të ndaluara, aktivitetet kulturore, kinema, teatër, klubet e natës, pishinat, grumbullimet masive, dasmat, konferenca, dëgjesa publike, tubimet e çdo lloji, duke bërë dhe një thirrje për të mos pasur përsëritje të grumbullimeve masive, efektet e të cilave do të ishin shumë të dëmshme”.

Manastirliu bëri thirrje për më shumë përgjegjshmëri për të gjithë aktorët, palët politike, organizatat, që të mbrojmë shëndetin e qytetarëve dhe të mos rrezikojnë duke thyer rregullat në një kohë kur virusi nuk është zhdukur dhe ku grumbullimet publike favorizojnë përhapjen e tij, në një kohë që çdo grumbullim, lëvizje dhe destinacion nëse konsiderohet jo i domosdoshëm të vlerësohet për t’u kryer në kohë apo forma të tjera të komunikimit. /j.p/r.e/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.