FOKUS – Shpresa për një vaksinë antiCOVID-19, por sfidat mbeten të mëdha

GJENEVË, 29 maj /ATSH-AFP/ – Një vaksinë kundër COVID-19 që prej këtij viti? Krerët e industrisë farmaceutike janë optimistë, por parashikojnë se sfidat do të jenë kolosale për të prodhuar dhe për të shpërndarë miliarda doza të nevojshme.

Njëqind laboratorë në botë janë angazhuar në një garë kundër kohës për të siguruar një ose disa vaksina kundër koronavirusit, 10 prej të cilave kanë arritur fazën e provave klinike.

“Shpresa e shumë njerëzve është që ne do të kemi një vaksinë, ndoshta deri në fund të vitit”, theksoi Pascal Soriot, drejtor i përgjithshëm i AstraZeneca, gjatë një konference virtuale për shtyp.

Kompania britanike është asociuar me Universitetin e Oxford-it për të prodhuar dhe shpërndarë në mbarë botën vaksinën që po zhvillon.

Albert Bourla, kreu i “Pfizer” që po kryen prova klinike në partneritet me shoqërinë gjermane “Biontech”, beson gjithashtu të ketë një vaksinë para 2021.

“Nëse gjërat shkojnë mirë dhe janë në përputhje ne do të kemi prova sigurie dhe efikasiteti për të mundësuar […] të kemi një vaksinë deri në fund të tetorit”, theksoi ai.

Disa vite janë kryesisht të nevojshme për të hedhur një vaksinë në treg, por përballë pandemisë së COVID-19 vaksinat eksperimentale, të gjykuara mjaftueshëm të sigurta dhe  efikase do të mund të hidhen në treg në kohë rekord.

Federata Ndërkombëtare e Industrisë së Medikamenteve theksoi se prodhimi dhe shpërndarja e vaksinës do të përballen me sfida kolosale./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.