PARIS, 29 maj /ATSH-AFP/ – Komisioni Europian po i jep dorën e fundit një faqeje në internet për të ndihmuar europianët që dëshirojnë të kalojnë pushimet e tyre në vendet e BE-së, deklaroi komisioneri për Tregun e Brendshëm, Thierry Breton.
“Tashmë ka protokolle të përbashkëta për të kaluar kufijtë, për të pritur turistët në vendet e tyre të pushimeve”, deklaroi komisioneri ndërkohë që 27 vendet e Bashkimit Europian po lehtësojnë hap pas hapi masat kufizuese të vendosura për të luftuar kundër përhapjes së COVID-19.
“Faqja në fjalë, e quajtur “Reopen.eu”, do të “përqendrojë të gjitha praktikat e mira në mënyrë që nëse dëshironi të lëvizni brenda BE-së, do të dini se si të veproni për të shkuar nga një pikë në tjetrën dhe çfarë do të gjeni gjatë mbërritjes duke përfshirë këtu edhe masat paraprake”, nënvizoi Thierry Breton.
Një rihapje e kufijve është planifikuar brenda Europës nga mesi i qershorit, por deri tani njoftimet janë bërë në inkoherencë mes vendeve europiane pavarësisht thirrjeve nga Komisioni Europian për më shumë bisedime.
Italia, shumë e prekur nga kriza shëndetësore dhe për të cilën sektori turistik është jetësor, shpreson të rifillojë rihapjen me mbërritjen e të huajve duke dhënë indikacione homogjen për turistët në të gjitha rajonet.
Kryeministri francez, Edouard Philippe theksoi se do të vepronte me reciprocitet nëse disa vende do të vendosin karantinim për francezët.
Komisioni Europian prezantoi dy ditë më parë një plan të jashtëzakonshëm për të mbështetur ekonominë europiane të goditur nga koronavirusit, me një fond rimëkëmbjeje prej 750 miliardë eurosh./ /ec/
