Vijon puna për rehabilitimin e shtratit të lumit Zezë/ Kryebashkiaku Bushi për ATSH-në: Projekti pritet të përfundojë brenda 2 muajsh

TIRANË, 28 maj/ATSH/ Një nga investimet më të rëndësishme në Fushë-Krujë është rehabilitimi i shtratit të lumit Zezë.

Banorët e këtij qyteti, prej 25 vitesh e kanë vuajtuar problemin e përmbytjeve duke shkaktuar dëme të mëdha në ekonomi.

Për të zgjidhur këtë problem, prej një viti ka nisur puna, ku u sistemua ura në qendër të Fushë-Krujës, zgjerimi i gjithë shtratit nga fshati Larushk e deri në Derven.

Aktualisht, vijon puna në pikën e tretë më problematike, e cila shkaktonte përmbytje në fshatin Derven, dhe një pjesë të autostradës Fushë-Krujë – Milot.

Kryetari bashkisë së Krujës, Artur Bushi tha për ATSH-në se “aktualisht punimet janë përqendruar në rehabilitimin e shtratit të lumit Zezë, në një nga pikat më problematike, që shkaktonte përmbytjen në fshatin Derven dhe bllokimin e një pjese të rrugës kombëtare”.

“Në vendin ku bashkohet përroi i Bardharit me lumin Zezë po zgjerohet dhe thellohet shtrati i lumit, ndërsa e gjithë skarpata do të vishet me gambion guri”, – tha Bushi.

Sipas tij, i gjithë projekti pritet të përfundojë brenda 2 muajsh.

Përfundimi i  projektit të rehabilitimit të lumit Zezë do t’i japë një dimension të ri infrastrukturës së zonës./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.