SHBA – Guterres: Ndihmë financiare për rimëkëmbjen e vendeve në zhvillim

NJU JORK, 28 maj /ATSH-DPA/- Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, bëri thirrje sot për ndihmë financiare për shumë vende në zhvillim, që nuk kanë mjetet e nevojshme për të investuar në rimëkëmbjen nga kriza e koronavirusit.

“Ne jemi në një krizë të pashembullt njerëzore, për shkak të një virusi mikroskopik. Ne duhet të përgjigjemi me unitet dhe solidaritet dhe një aspekt kryesor i solidaritetit është mbështetja financiare”, tha ai.

“Lehtësimi i borxhit shkatërrues nuk mund të kufizohet në vendet më pak të zhvilluara. Ai duhet të shtrihet në të gjitha vendet në zhvillim dhe me të ardhura të mesme që kërkojnë shpëtim duke qenë se humbasin qasjen në tregjet financiare”, shtoi Guterres.

Kreu i OKB-së bëri thirrje për veprim në fusha që përfshijnë zgjerimin e likuiditetit global, frenimin e rrjedhave të paligjshme financiare dhe adresimin e dobësive të borxhit./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.