Reforma Zgjedhore/Këshilli Politik konsensus për monitorimin me kamera të Qendrave të Votimit dhe praninë e policisë në zgjedhje

TIRANË, 28 maj/ATSH-Maela Marini/ Këshilli Politik i reformës zgjedhore zhvilloi pasditen e  sotme mbledhjen e radhës, ku u trajtuan disa çështje që kishin lidhje me paketën për parandalimin e krimeve zgjedhore dhe përdorimin e teknologjisë në zgjedhje.

Gjiknuri: Mazhoranca dakord me teknologjinë në zgjedhje, opozita debat artificial

Bashkëkryetari i komisionit të Reformës Zgjedhore, përfaqësuesi i PS-së në këtë Këshill, Damian Gjiknuri deklaroi në një prononcim për mediet pas mbledhjes se u trajtuan një sërë çështjesh si ajo për krimet zgjedhore, rolin e policisë.

“Trajtuam paketën e parandalimit të krimeve zgjedhore dhe masat ekstra të opozitës, përfshirë edhe monitorimin me kamera të Qendrave të Votimit, të cilën e kemi pranuar dhe do ta sanksionojmë me ligj”, tha Gjiknuri.

Ai theksoi se “kemi një debat artificial në lidhje me përfshirjen e teknologjisë në zgjedhje”. “Ne në parim kemi rënë dakord. Sot po bëjmë dispozita të Kodit Zgjedhor ku u jepet  atributi KQZ-së për zbatimin e këtij sistemi, si identifikimi elektronik i zgjedhësve, lënia e shenjave të gishtit dhe leximi i kartës së identitetit ose pasaportës biometrike dhe përfshirja aty ku është e mundur e numërimit dhe votimit elektronik me një projekt pilot. Problem është sa mund të shtrihet. Dëshira jonë është ta shtrijmë sa të jetë e mundur, por nuk është listë dëshirash por sa arrin të zbatohet, sa është kosto”, tha Gjiknuri.

Ai tha se “ne jemi dakord me teknologjinë por nëse nuk funksionon teknologjia si do të veprohet”. “PS në vitin 2008 kishte një kërkesë të tillë, u provua në KQZ dhe dështoi dhe zgjedhjet vazhduan normalisht”, tha ai.

Gjiknuri tha se “shpreson që të mos përdoret si sebep, pasi nuk varet gjithçka nga teknologjia e zgjedhjeve”. “Ka elementë të tjerë si hapja e kutive, hapja e çdo materiali zgjedhor me kërkesë të opozitës e shumë e shumë garanci të tjera që asnjë opozitë nuk i ka pasur ndonjëherë në Kodin Zgjedhor”, tha ai.

Gjiknuri tha se “ne kërkojmë të kemi një plan implementimi i cili mund të jetë në gjithë vendin ose jo”. Ai theksoi se “opinioni i ODIHR-it ka ardhur me shkrim dhe mund ta vëmë në dispozicion, sepse kjo çështje u kthye nga teknike në shumë politike. ODIHR rekomandon që vendi, qeveria, autoritetet zgjedhor të bëjnë kujdes me teknologjinë në zgjedhje. Rekomandohet jo më shumë se 10% dhe të shtrihet shkallë shkallë pasi duhet të provohet e testohet. Votimi tradicional nuk mund të pengohet. Ekspertiza e ODIHR-it e thotë këtë. Synimi ynë është të formojmë dispozita konkrete dhe pasi të miratojmë Kodin, Këshilli i Ministrave dhe KQZ të na prezantojnë një plan”, tha ai.

Lidhur me depolitizimin e zgjedhjeve, Gjiknuri tha se “mazhoranca kërkonte që kjo çështje të trajtohej sot, ndërsa opozita u tërhoq se tha’ po nuk na adresuat këtë pikë nuk vazhdojmë”.

“Dispozitat janë gati, ka dhe hapësira kompromisi për kërkesat e opozitës. Besoj se kemi një formulë alternative kompromisi që mund ta bëjmë të mundur por jo çdo listë dëshirash duhet të bëhet detyrë për ne”, tha ai.

Ndërkohë, Gjiknuri e konsideroi “bizantizëm” propozimin e PD-së për të zgjedhur një drejtor Policie për zgjedhje.

“Policia e Shtetit është organ meritokratik, profesional që nuk vlen vetëm për zgjedhje dhe nuk ka asnjë model në botë që duhet vënë Drejtor Policie për zgjedhje. Kjo është një çështje që nuk mund të adresohet dhe nuk është detyra jonë të bëjmë një ligj për ndryshimin e Policisë. Nuk mund të krijojmë një regjencë policore vetëm për zgjedhje. Ne nuk mund të shkelim standardet”, tha Gjiknuri.

Lidhur me sistemin zgjedhor, ai tha se “kanë sjellë disa çështje, sisteme të ndryshme”. “Ekspertët na thanë se sistemi kërkon ndërhyrje në Kushtetutë. Kur u ulëm në tavolinë kemi thënë se çështja e sistemit do të lihet në fazën e dytë pasi të miratohet Kodi Zgjedhor. Megjithatë nëse të gjitha partitë bien dakord edhe ne kemi propozimet tona dhe do ta trajtojmë më vonë, pasi prekja e Kushtetutës mund të hapi edhe probleme të tjera”, tha ai.

Bylykbashi: Pa identifikimin biometrik dhe sistemin pilot të votimit elektronik nuk ka garanci 

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike në Këshillin Politik të reformës zgjedhore, Oerd Bylykbashi deklaroi sot se “nuk kishte dakordësi për dy çështje kryesore që garantojnë votën atë të identifikimit biometrik dhe sistemin pilot të votimit elektronik, që shmang votat e falsifikuara.

“U diskutua një çështje e rëndësishme dhe për fat të keq sot doli qartë se mazhoranca nuk është e gatshme të ecë në këtë drejtim, të fusë identifikimin biometrik në qendrat e votimit, të mos ketë votim familjar në emër te emigrantëve që s’kanë ardhur kurrë në Shqipëri dhe që komisionerët të mos mbushin kutitë me vota të rreme. Nesër në orën 11:00 do të mblidhet sërish Këshilli Politik dhe shpresojmë që mazhoranca të vij me propozime konkrete të identifikimit biometrik dhe të ketë një sistem pilot për votimin dhe numërimin elektronik dhe kjo të dal si një detyrim për KQZ dhe qeverinë që të mos manipulohen zgjedhjet”, tha ai.

Sipas Bylykbashit, “nëse nuk bëhen këto të dyja nuk kemi garanci që nuk do të ketë vota të falsifikuara në zgjedhje”.

“Identifikimi biometrik është thelbësisht i lidhur me marrëveshjen e administratën zgjedhore ku zgjedhësi voton, vota  e tij numërohet dhe nuk ka manipulime. SPAK duhet të jetë institucioni i vetëm që heton korrupsionin zgjedhor. Sigurisht që nuk patëm dakordësi për propozimin e  policisë. Identifikimi biometrik dhe sistemi pilot i votimit duhet të jenë të shkruara me garanci në Kodin Zgjedhor. Ne jemi të gatshëm që të qëndrojmë me orë të tëra për të përmbyllur reformën, por pa këto dy çështje nuk ka garanci”, tha ai.

Hajdari: Sistemi danez do trajtohet ditën e nesërme

Bashkëkryetarja e komisionit për reformën zgjedhore, Rudina Hajdari, deklaroi sot pas mbledhjes së Këshillit Politik se “nuk pati diçka konkrete pasi diskutimi ngeci te numërimi biometrik që të shtrihet në gjithë vendin”.

“Përdorimi i teknologjisë dhe identifikimi biometrik duhet të jenë të rëndësishme. Mendoj se ditën e nesërme do rifillojmë prapë te kjo pikë. I drejtuam një kërkesë ekspertëve të ODIHR-it që të bëjnë një ekspoze të sistemit danez. Sistemi danez do trajtohet ditën e nesërme dhe atë pasuese. Ndryshimi i sistemit apo minimumi hapja e listave janë çështja kryesore e reformës, pasi në të kundërt ne po bëjnë arnime të vogla që nuk quhet reformë. Ishte një hap i mirë për sa i përket ndryshimit të sistemit dhe trajtimit të sistemit danez, propozimit që ka bërë ambasada e SHBA-së”, tha ajo.

/a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.