“Paga e luftës”, Balla: 65 078 qytetarë që i përkasin 38 672 subjekteve e kanë marrë ndihmën financiare

TIRANË, 28 maj/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla paraqiti sot në Kuvend ecurinë e procesit të “pagës së luftës” prej 26 mijë lekësh dhe bonusit prej 40 mijë lekësh për të gjithë ata punonjës që u prekën në punën e tyre për shkak të situatës së krijuar prej COVID-19.

“Unë e mirëkuptoj çdonjërin prej jush që kompleksohet me xhiron nëpër kafe që bën Luli. Kur je pa punë xhiro nëpër kafe do të bësh, se s’ke çfarë të bësh tjetër. Luli nuk ka nevojë për bonusin prej 40 mijë lekësh, sepse Luli është klienti më i madh i oligarkëve, në këtë vend, nëse ka oligarkë, por atyre që Luli i quan ‘oligarkë’, biznesmenëve të mëdhenj, me të cilët ka kontrata të mëdha financiare familjare të përditshme”, deklaroi Balla.

Sipas tij, të dhënat janë bërë publike nga dy deputetët Ervin Bushati dhe Klotilda Bushka.

Më tej, Balla publikoi edhe shifrat e përfituesve të dy paketave financiare të mbështetjes.

“Në paketën e parë, në total numri i aplikime është 64 093 tatimpagues për 124 670 punonjës. 65 078 qytetarë që i përkasin 38 672 subjekteve e kanë marrë ndihmën financiare. Nga totali i aplikimeve kanë kaluar për pagesë të këstit të parë 64 964 me një shumë në vlerën 1.678 miliardë lekë“, tha Balla.

Lidhur me paketën e dytë, Balla bëri të ditur se janë 43 430 aplikime.

“38 851 subjekteve ose e përkthyer në numër punonjësish, 141 351 qytetarë shqiptarë janë të trajtuar financiarisht nga shteti shqiptar. Numri i kërkesave të aprovuara është aktualisht 36 693 për 111 830 mijë punonjës. Janë paguar 109 664 që u përkasin 34 416 subjekteve tregtare. Vlera e paguar është 4.386 miliardë lekë“, u shpreh kreu i grupit socialist.

Balla tha se nga paketa e dytë financiare kanë përfituar 4 265 punonjës të angazhuar në strukturat akomoduese si dhe 720 naftëtarët e rafinerisë së Ballshit./a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.