OSLO – Norvegjia heq kufizimet për udhëtimet e biznesit drejt vendeve nordike

OSLO, 28 maj /ATSH-AFP/ – Norvegjezët, që udhëtojnë në vendet nordike për arsye profesionale ose punëtorët e huaj nga këto vende, nuk do t’i nënshtrohen më karantinës duke filluar nga e hëna, njoftoi sot qeveria norvegjeze.

Me qëllim frenimin e përhapjes së COVID-19, autoritetet norvegjeze kërkonin që norvegjezët, të cilët ktheheshin në vendin e tyre dhe të huajt e autorizuar për të kaluar kufirin, t’i nënshtroheshin një karantine dhjetëditore.

Por nga e hëna, ata që udhëtojnë për arsye profesionale drejt ose nga të gjitha vendet nordike do të përjashtohen nga ky detyrim.

Deri më tani, vetëm udhëtimet e biznesit midis Norvegjisë dhe Suedisë dhe midis Norvegjisë dhe Finlandës janë përjashtuar nga kjo masë./ /ervo/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.