KOLUMBI – Mision i forcave speciale amerikane në luftën kundër drogës

BOGOTA, 28 maj /ATSH-AFP/ – SHBA-ja dërgoi në Kolumbi një njësi të forcave speciale të luftës kundër trafikut të drogës, një operacion që synon qeverinë e Nicolas Maduro në Venezuelë, e akuzuar për bashkëpunim me narkotrafikantët, theksuan sot burime zyrtare.

“Kontigjenti i asistencës së forcave të sigurisë (SFAB), i trajnuar për të këshilluar dhe asistuar në operacione në vendet aleate, do të fillojë misionin disamujor, në fillim të qershorit”, deklaruan ambasada amerikane dhe Ministria kolumbiane e Mbrojtjes në një komunikatë të përbashkët.

Numri i trupave të vendosura në kuadër të këtij operacioni, i pari në Amerikën Latine, nuk u zbulua.

“Misioni SFAB në Kolumbi është një mundësi për të treguar angazhimin tonë të ndërsjellë kundër trafikut të drogës dhe mbështetjen tonë për paqen rajonale, respektimin e sovranitetit dhe premtimin e qëndrueshëm për të mbrojtur idealet dhe vlerat e përbashkëta”, theksoi admirali Craig Faller, komandant i përgjithshëm i Komandës Jugore të Shteteve të Bashkuara.

“Misioni për të mbështetur operacionet antidrogë në Karaibe u njoftua në prill nga presidenti amerikan, Donald Trump”, shtoi i njëjti burim.

“Ky mision synon “regjimin e korruptuar” të Nicolas Maduro në Venezuelë dhe mbështetet nga Kolumbia dhe 25 kombe të tjera amerikane dhe europiane”, sipas Uashingtonit./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.